Paris 2024

Donjeta nis me fitore: Kam ardhur për medalje

Donjeta Sadiku pas fitores në "Parisi 2024"

Donjeta Sadiku pas fitores në "Parisi 2024"

Kur e kishte siguruar normën olimpike për në Lojërat Olimpike të Parisit në mars të këtij viti, Donjeta Sadiku e kishte përmendur medaljen. Kishte thënë se ajo është e arritshme për të. Medaljen e përmendi edhe katër muaj më vonë në kryeqendrën franceze, pasi e fitoi meçin e parë. Të shtunën në mbrëmje, Sadiku e mposhti boksieren nga Tajlanda, Thananya Somnuek, për ta bërë hapin e parë drejt medaljes olimpike. Ajo e nisi me fitore paraqitjen në Lojërat Olimpike “Parisi 2024”, në kategorinë deri në 60 kilogramë.

E humbi raundin e parë nga tajlandezja, por u kthye fuqishëm për ta siguruar fitoren shumë të rëndësishme.

“Ne me trajneren Marjola Sallauka kemi qenë të informuara se çfarë kundërshtare është tajlandezja. Ka qenë një kundërshtare mjaftë e vështirë, luftarake dhe që nuk dorëzohet. Ne e kemi analizuar dhe ashtu siç e kemi analizuar, kemi punuar, dhe na ka rezultuar pozitiv. E kam pritur këtë fitore. Unë këtu kam ardhur vetëm për medalje”, ka deklaruar Sadiku për KOHËN të shtunën pas meçit. 

Sadiku e di se rruga për medalje olimpike është e gjatë dhe shumë e vështirë. Por, me atë që shfaqi të shtunën, një gjë e tillë nuk është e pamundur.

Donjeta Sadiku iu revanshua kundërshtares nga e cila ishte mposhtur më 8 shkurt në çerekfinale të turneut “Strangja” në Bullgari, ndërsa për kundërshtare të radhës do ta ketë boksieren nga Kolumbia, Angie Paola Valdes Pana.

Në rast se e kalon edhe këtë kundërshtare, më pas do të përballej me irlandezen Kellie Harrington.

Për Sadikun është hera e dytë që merr pjesë në Lojëra Olimpike, ndërsa për herë të parë është me normë.

Normën për në “Parisi 2024” e siguroi në turneun kualifikues botëror që u mbajt në Busto Arsizio të Italisë, në mars të këtij viti.

25-vjeçarja Sadiku është fituese e medaljeve në Evropian e Botëror.

Sadiku ishte garuesja e parë e Kosovës nga nëntë sa janë gjithsej në Olimpiadën e Parisit.

Përveç Sadikut, me normë olimpike janë edhe pesë xhudistët Distria Krasniqi, Nora Gjakova, Akil Gjakova, Laura Fazliu dhe Loriana Kuka.

Gresa Bakraqi do ta përfaqësojë Kosovën në atletikë, ndërsa Adell Shaboviq dhe Hana Beiqi në not.

Donjeta Sadiku flet pas fitores

Kurti: Fitorja e Sadikut, e rëndësishme për mbarë ekipin e Kosovës

8 muaj më parë / 27 kor 2024 22:50
Albin Kurti

Kryeministri Albin Kurti ka vlerësuar se fitorja e Donjeta Sadikut në “Parisi 2024” është e rëndësishme për mbarë ekipin olimpik të Kosovës.

Në një prononcim për KOHËN nga Parisi, Kurti ka thënë se tani fillojnë ethet për xhudisten Distria Krasniqi, e cila ka mundësi që nesër [e diel] ta përsërisë suksesin e “Tokio 2020” për t’ia sjellë të artën Kosovës.

“Sonte Donjeta Sadiku ndonëse boksoi me duar, me këmbë të mbarë ia nisi përballjeve në Olimpiadën ‘Parisi 2024’. Është pjesëmarrja e saj e dytë. Tash do të përqendrohem në xhudo, pastaj do të rikthehemi te Donjeta. Fitorja e saj është e rëndësishme jo vetëm për të, por për mbarë ekipin e Kosovës dhe njëkohësisht ishte e merituar sepse dha më shumë goditje e më të sakta se kundërshtarja tajlandeze. Sonte jemi në ethe për Distrian nesër, së cilës i dëshirojmë suksese ndërkohë besimin në suksesin e saj e kemi maksimal për shkak të përvojës me të dhe dëshirës së Kosovës dhe shqiptarë anë e mbanë”, ka thënë Kurti.

Osmani pas fitores së Donjeta Sadikut: Moment krenarie për Kosovën

8 muaj më parë / 27 kor 2024 21:52
Preisdentja Vjosa Osmani pas fitores së Donjeta Sadikut

Preisdentja Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti në "Paris 2024"

Presidentja Vjosa Osmani ka reaguar pas fitores së Donjeta Sadikut në meçin e parë të Lojërave Olimpikë “Parisi 2024”.

Fitoren e Sadikut, presidentja Osmani e ka konsideruar si “moment krenarie për Kosovën”.

“Faleminderit Donjeta për këto emocione”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Osmani bashkë me kryeministrin Albin Kurti e ndoqën nga afër fitoren e boksieres nga Kosova.