Paris 2024

“Champ de Mars”, vendi ku Kosova çmohej

Distria Krasniqi dhe fitueset e tjera të medaljeve olimpike deri në 52 kilogramë

Me një medalje të argjendtë, një të bronztë e një vend të pestë, Kosova është e 14-ta në listën e medaljeve në xhudo. Duket e pabesueshme, por prapa Kosovës kanë mbetur vende me xhudo shumë të zhvilluar dhe që investojnë dhjetëra miliona euro në këtë sport. Për shembull Gjermania është menjëherë prapa Kosovës. Pastaj vjen Mongolia. Më poshtë janë edhe Spanja, Austria, Belgjika. Madje edhe Kina, Portugalia, Suedia, Turqia, Holanda, Kuba, Hungaria, Zvicra...

Thuajse nën hijen e Kullës së Eiffelit, është ndërtuar objekti i përkohshëm me 10 mijë metra katrorë, i njohur si “Champ de Mars”.

Në tetë ditët  e parë të Lojërave Olimpike, “Champ de Mars” ishte prej vendeve më të vizituara, dhe përfundimisht më të zhurmshme, sa i takon pjesës së Parisit ku arena gjendet. Gara e xhudos, e vlerësuar si shumë interesante, e bëri këtë arenë të njohur në mesin e tifozëve të shumtë të Lojërave Olimpike.

Blloku i paraditës nga 26 korriku e deri më 2 gusht ka nisur në ora 10:00. Por që në ora tetë rreshti i tifozëve për të hyrë në arenë ishte i madh. Për bllokun final, që ka filluar rregullisht në ora 16:00 interesimi ishte i jashtëzakonshëm. Nuk ka pasur vende të lira, në asnjërën prej ditëve, pavarësisht nëse Franca kishte apo jo adutë për medalje.

Natyrisht, shumica e tifozëve ishin francezë. Por kishte edhe nga vende të tjera. Ndonjë edhe nga Kosova.

Më shumë se në tribuna, Kosova kishte prani në tatami. Pesë xhudistë e prezantuan Kosovën në garat individuale të sportit aktualisht më të popullarizuar luftarak, sa i takon programit olimpik. 

Në ditën e dytë të garave të xhudos, Distria Krasniqi arriti në finale të kategorisë deri 52 kilogramë. Një ditë më pas, Akil Gjakova shkëlqeu me hedhje mjeshtërore. Arriti deri në gjysmëfinale, por u ndal. Humbi më pas edhe për vend të tretë dhe kështu mbeti pa medalje. U vlerësua dhe vazhdon të vlerësohet se ka merituar medaljen olimpike. Të njëjtën ditë, Nora Gjakova u ndal herët, në luftën e parë. 

Në ditën e katërt të garave të xhudos, Laura Fazliu fitoi medalje të bronztë në kategorinë ku paraqitet ylli francez, Clarisse Agbegnenou. Laura madje kishte një përballje, të pasuksesshme, me ikonën franceze. Në ditën e gjashtë garoi edhe Loriana Kuka. Ndonëse me të dy gjunjtë e lënduar, Loriana arriti një fitore dhe iu afrua një tjetre. Por megjithatë i mungoi forca për të shkuar përtej raundit të dytë.

Nuk do të shumë mund për të kuptuar që Kosova është pjesë e rëndësishme e familjes botërore të xhudos. Kërkesat për fotografi me xhudistët kosovarë ishin të vazhdueshme, sidomos nga vullnetarët por edhe tifozët, ndonëse afrimi i tifozëve me xhudistët nuk ishte i lehtë. Trajnerët dhe xhudistët e vendeve tjera shfaqin respekt të vazhdueshëm për xhudistët e Kosovës. Këtu përfshihen edhe xhudistët e Francës. 

Nëse veshur mbaje një fanellë të Kosovës, atëherë në “Champ de Mars” duhej t’u përgjigjeshe pyetjeve për xhudistët cilësorë të një vendi të vogël evropian. 

Kosova është përmendur me dhjetëra herë nga folësit zyrtrë në arenë. Xhudistët kosovarë janë paraqitur jo pak dhe në fund dy herë zunë vend në podium. Dhe kjo ka bërë që Kosova të çmohej në arenën që do të çmontohet në fund të këtij viti.

Për herë të tretë rresht, Kosova është në listën e vendeve me medalje olimpike, falë xhudos. 
Sa i takon garës së xhudos, më e suksesshmja ishte Japonia me tri të arta, një të argjendtë e tri të bronzta, pa llogaritur garën ekipore. Azerbajxhani kishte dy të arta, ndërsa Franca, Gjeorgjia, Brazili, Uzbekistani, Kazakistani, Italia, Kroacia, Kanadaja e Sllovenia nga një. 

Me një medalje të argjendtë, një të bronztë e një vend të pestë, Kosova është e 14-ta në listën e medaljeve. Duket e pabesueshme, por prapa Kosovës kanë mbetur vende me xhudo shumë të zhvilluar dhe që investojnë dhjetëra miliona euro në këtë sport. 

Për shembull Gjermania është menjëherë prapa Kosovës. Pastaj vjen Mongolia. Më poshtë janë edhe Spanja, Austria, Belgjika. Madje edhe Kina, Portugalia, Suedia, Turqia, Holanda, Kuba, Hungaria, Zvicra.

Aty diku është edhe Serbia, shumë më poshtë se Kosova. Në këtë vend nuk i kanë kapërdirë lehtë medaljet e Kosovës. Për suksesin e Kosovës në xhudo në Paris, foli edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ashtu si pritej, xhudoja, përkatësisht ekipi i kryemjeshtrit Driton Kuka, ka bërë që Kosova të ketë edhe një edicion të suksesshëm të Lojërave Olimpike. Dy medaljet nuk lënë dilema për këtë. 

Pas pak muajsh “Champ de Mars” do të jetë “rrafsh përtokë”. Por vepra e Kosovës në këtë arenë do të jetë pjesë e rëndësishme e historisë sportive të vendit.