Keely Hodgkinson ia ka siguruar Britanisë së Madhe medaljen e parë të artë në atletikë. Ajo e fitoi të artën në garën e 800 metra vrapim të hënën mbrëma në Paris, ku po zhvillohen Lojërat Olimpike.
22-vjeçarja vrapimin e 800 metrave e mbylli me kohë prej një minutë, 56 sekonda e 72 të qindtat.
Garuesja nga Etiopia Tsige Duguma fitoi medaljen e argjendtë, pasi 800-metërshin e përfundoi me kohë prej një minutë, 57 sekonda e 15 të qindtat. Medalja e bronztë i takoi Mary Moraa nga Kenia . Ajo vrapimin e mbylli për një minutë, 57 sekonda e 42 të qindtat.