Paris 2024

Biles synon të shkruajë histori me SHBA-në në gjimnastikë

Simone Biles

Gjimnastja Simone Biles bashkë me ekipin me përvojë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës e ka mundësinë të shkruajë historinë në Lojërat Olimpike të Parisit

Biles u tërhoq nga “Tokio 2020” para tre vjetësh për shkak të telasheve me shëndetin mendor, që ia pamundësoi asaj paraqitjen në Olimpiadë. Paraqitja e saj ishte në dyshim edhe për Lojërat Olimpike në Paris që nisin të premten.

Por, pas pauzës dyvjeçare dhe me ndihmën e anëtarëve tjerë të ekipit dhe ndihmës mjekësore, ajo synon të bëhet gjimnastja e parë amerikane që fiton më shumë se shtatë medalje Olimpike.

Synon po ashtu t’i tregojë botës se jo vetëm që është kthyer, por është më e mirë se kurrë më parë.

27-vjeçarja Biles do të garojë së bashku me bashkëkombëset Jade Carey, Jordan Chiles, Sunisa Lee dhe 16-vjeçarja Hezly Rivera, e cila merr për herë të parë pjesë në Olimpiadë

“Nuk mendoj se ato e dinë se sa shumë më kanë ndihmuar”, ka thënë Biles në një dokumentar të publikuar nga “Netflix” së fundmi, të quajtur “Ngritja e Simone Biles”.

“Doja të tërhiqesha 500 mijë herë. Dhe do ta bëja një gjë të tillë nëse nuk do të ishin këto”.

Me kthimin e Biles, SHBA-së i janë rritur edhe më shumë gjasat për medalje të artë në gara ekipore.

Në “Tokio 2020” fitoi medaljen e argjendtë pas Rusisë, që në Paris nuk do të garojë për shkak të përjashtimit pas pushtimit të Ukrainës.

Biles është favorite në të gjitha disiplinat në të cilat do të garojë. Dhe ka gjasa të kthehet nga Parisi me pesë medalje të arta.

Prapa SHBA-së favorit vlerësohet të jetë Brazili me gjimnastet Rebeca Andrade dhe Flavia Saraiva. Medaljen e argjendtë Brazili e kishte fituar edhe në ngjarjen e vitit të kaluar në Kampionatin Botëror.

Vend në podium pritet të zërë edhe Kina, ndërsa Italia dhe Franca po ashtu vlerësohen lart për garat në Paris.

Në konkurrencën e meshkujve garë e fortë për medaljen e artë pritet të zhvillohet mes Japonisë, Kinës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Edhe Ukraina dhe Britania e Madhe kanë gjimnastë të nivelit të lartë.

Prej gjimnastëve, emri që përmendet më së shumti është Daiki Hashimoto i Japonisë, i cili ishte kampion i padiskutueshëm në Tokio. Ai pritet të shënojë tjera suksese, por garë të fortë do të zhvillojë me gjimnastë kinezë, ukrainas dhe amerikanë.

Garat e gjimnastikës do të mbahen në “Bercy Arena” në Paris, nga 27 korriku deri më 5 gusht.