Atletja Gresa Bakraçi ka arsyetuar paraqitjen e dobët në Lojërat Olimpike "Parisi 2024". Ajo në shkrimin e saj të postuar të hënën në "facebook" ka thënë se përgatitjen në gjysmë ia kishte ndërprerë ftesa për të marrë pjesë në ceremoninë e dorëzimit të flamurit të Kosovës para nisjes për në Paris. "Por mbi të gjitha rregullat e shtetin mbesin të shtetit dhe normalisht që i respektoj", ka shkruar ndër të tjera në postimin e saj atletja kosovare.
Bakraçi garën 800 metra vrapim e mbylli në dy raste e fundit. Koha e parë e saj ishte 2:03.91 minuta, ndërsa në repesazh përfundoi garimin sërish e fundit, me kohë më të dobët se në vrapimin e parë.
"Fatkeqësisht para nisjes së Lojërave Olimpike përjetova një helmim dhe isha e shtrirë në Repartin e Infektologjisë tri ditë rresht (në intensive), prandaj dua të ndaj një falënderim të veçantë për Dr. Gëzim Devollin për përkujdesjen e tij ndaj meje. Ai dha maksimumin e tij, por ishte e pamundur të kthehem si isha (më lodhi realisht shumë ky helmim, shkurt ma mori forcën).
Ky helmim më penalizoi shumë për të arritur atë që desha, isha aq mirë sa që pretendoja një rezultat akoma më të shpejtë. Por jo çdo ëndërr në jetë mund te realizohet, por mund të them që jetova ëndrrën time", ka shtuar Bakraçi.
Ajo ka theksuar se do ta vazhdojë punën për t'u paraqitur edhe pas katër vjetësh në Lojërat Olimpike "Los Angeles 2028".