Federata e Futbollit të Argjentinës ka bërë ankesë në Shtëpinë Botërore të Futbollit (FIFA) pas incidenteve në hapje të Lojërave Olimpike kundër Marokut.
Skenat në Saint-Etienne ishin “për të ardhur keq”, shkroi presidenti i Federatës së Futbollit të Argjentinës, Claudio Tapia në rrjetet sociale.
Pas pushtimit të fushës nga tifozët marokenë dhe “dhunës” ndaj delegacionit argjentinas, vazhdimi i lojës ishte “i pakuptimtë dhe “shkelje e rregullave të garës”, ka vazhduar tutje presidenti i Federatës së Futbollit të Argjentinës.
Sajti zviceran “SRF” ka shkruar se nuk janë marrë parasysh mendimet e kapitenëve të të dyja skuadrave, të cilët ishin kundër vazhdimit të ndeshjes.
“Tani i takon FIFA-s që të marrë masat e duhura dhe të ndëshkojë përgjegjësit”, kërkoi Tapia.
Kapiteni i ekipit Nicolas Otamendi dhe trajneri Javier Mascherano e konsideruan “turp historik” atë që ndodhi në ndeshjen Argjentina – Maroku.
“Diçka e tilllë nuk do të ndodhte as në një turne fshati”, tha trajneri i ekipit olimpik të Argjentinës, Javier Mascherano. Mascherano me Argjentinën fitoi medaljen e artë në Lojërat Olimpike në vitin 2004 dhe 2008. Shtypi argjentinas ishte i ashpër ndaj nikoqires Francës.
Argjentina e barazoi rezultatin në fund të ndeshjes 2:2. Por tifozët marokenë u futën në fushë, ndërsa një orë më pas, organizatorët thanë se ndeshja ende nuk ka përfunduar dhe VAR-i duhej ta shikonte nëse goli i barazimit ishte i rregullt.
Lojtarët më pas hynë në fushë dhe nisën ngrohjet para se ndeshjes t’i vinte fundi. Gjyqtari kryesor u tregoi lojtarëve të Argjentinës se goli u anulua, ndërsa ata të Marokut festuan fitoren 2:1.