Ambasadat e huaja në Kosovë kanë uruar xhudisten kosovare Distria Krasniqi për fitimin e medaljes së argjendtë në Lojërat Olimpike “Paris 2024”.
Krasniqi fitoi të argjendtë në kategorinë deri 52 kilogramë të dielën. Për të ishte medalja e dytë olimpike e fituar. Kishte fituar të artën në kategorinë deri 48 kilogramë në Tokio tre vjet më parë.
“Urime për Distrinë për fitimin e medaljes së dytë olimpike, në një kategori tjetër kësaj radhe”, ka shkruar Ambasadqa e Britanisë.
Ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier, në platformën “X” ka shkruar “urime”.
Suksesin e Distrisë e ka uruar edhe ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.
“Start fenomenal. Urime të përzemërta xhudistes Distria Krasniqi, që mori medaljen e argjendtë për Kosovën në Lojërat Olimpike “Paris 2024”. Urime pjesës tjetër të ekipit të Kosovës”, ka shkruar ai në platformën “X”.
Po ashtu ka uruar edhe Ambasada e Republikës së çekisë në Kosovë.
“Urime Distria Krasniqit për fitimin e medaljes së argjendtë për Kosovën në xhudo në Lojërat Olimpike! Shpresoj që xhudisti ynë Lukas Krpalek do të shënojë pikë për Çekinë në kategorinë e burrave”, ka shkruar Ambasada e Çekisë në Prishtinë.
E në rrethojat e Ambasadës së Çekisë në Prishtinë është hapur një ekspozitë me foto të olimpistëve çekë.