Dëfrim Puka nga “Cineplexx Kosova” ishte i ftuar në emisionin “Nëpër Film”, me ç’rast tregoi se si ka qenë viti 2021 për këtë kinema. Ndër të tjera zbuloi se filmi kosovar i regjisores Blerta Basholli, “Zgjoi”, ka qenë filmi më i shikuar i vitit.
“Filmi ‘Zgjoi’ padyshim se është qershia mbi tortë e këtij viti. Ndoshta edhe një prej gjërave më pozitive që mundemi me i përmend për vitin 2021. Ky film kosovar tashmë i ka kaluar diku rreth 26-27 mijë bileta të shitura, që është një sukses shumë i madh. Njëkohësisht është bërë filmi kosovar më i shikuar në kinemanë ‘Cineplexx’, duke e kaluar filmin ‘Pranverë e paharruar në fshatin e harruar’. Ky i fundit i pati shitur rreth 16 mijë bileta ndërsa ‘Zgjoi’ e ka kaluar dukshëm këtë shifër dhe është ende duke u shfaqur dhe shikuar në ‘Cineplexx’. Por, më e mira e gjithë kësaj është se ky film i ka kaluar edhe premierat ndërkombëtare, gjë që na ka befasuar shumë edhe neve sepse realisht nuk e kemi pritur që do të ketë shikueshmëri më shumë se, për shembull, filmi ‘Fast and Furious’”.
Tutje, Puka tregoi se nga filmat hollywoodian, më i suksesshmi për vitin 2021 ishte “Fast and Furious 9”, ndërsa projektet që tutje pritet ta zgjojnë interesimin e publikut dhe të shesin numër të madh biletash janë, “Spider-Man: No Way Home” dhe “The Matrix Resurrections”.
Më 12 dhjetor kinemaja “Cineplexx Kosova” e shënoi mbushi 5-vjetorin e funksionimit në vendin tonë, për çka Dëfrimi tha se kanë qenë vite të mira me plot premiera botërore dhe kosovare, dhe me thyerje rekordesh të biletave të shitura.