Filmi kosovar “Vera andrron detin” e fitoi çmimin “Zambaku i artë”, që është shpërblimi kryesor i “goEast Film Festival” në Gjermani dhe i cili i ndahet filmit më të mirë të kësaj ngjarjeje. Regjisorja Kaltrina Krasniqi ishte e ftuar në emisionin “Nëpër Film”, me ç’rast ndau hollësi rreth këtij triumfi dhe shumëçka tjetër rreth filmit të saj mjaft të suksesshëm.
se gëzohesh sepse nuk vlerësohet vetëm puna jote por e gjithë ekipit, sidomos kur fiton çmimin ‘Filmi më i mirë’ që do të thotë se është marrë në konsideratë çdo aspekt i filmit, dhe kjo i ndihmon atij ta vazhdojë rrugëtimin tutje. Por në të njëjtën kohë është njëfarë shpërblimi në rrafshin profesional dhe emocional, për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e projektit për shtatë vjetët e fundit. Prandaj, po, është një ndjenjë e veçantë kur mund ta ndash një lajm të mirë me gjithë njerëzit që kanë qenë pjesë e këtij rrugëtimi”.
“Vera andrron detin” premierën botërore e shënoi në shtator të vitit të kaluar, në edicionin e 78-të të Festivalit të Filmit në Venecie ku garoi në kategorinë “Orizontti”. Prej aty u hapi rrugë shumë sukseseve të tjera. Regjisorja tregoi për eksperiencën e pjesëmarrjes në një prej festivaleve më të vjetra të filmit në botë.
“Kur erdhi koha për të shkuar në Venecie, isha e lumtur që do të mund ta ndaja këtë moment me të gjithë njerëzit që kanë qenë pjesë e filmit, sepse një pjesë e madhe e tyre më kanë shoqëruar për plot shtatë vjet në çdo hap të procesit të realizimit të projektit. Prandaj kam dashur që këtë eksperiencë ta ndaja me ta. Të gjithë në mënyrën e vet e kanë merituar ta përjetojnë madhështinë e një festivali sikur ai i Venecias, sepse është eksperiencë e rrallë dhe e veçantë”.
Filmi i Krasniqit e paraqet portretin e një gruaje e cila lufton një realitet të vrazhdë të pabarazive gjinore e ekonomike, që janë të rrënjosura thellë në shoqëri edhe në ditët e sotme. Regjisorja thotë se sfidat e grave nuk janë specifike për vendin tonë, por janë një problem global.
“Gratë përjetojnë pabarazi ekonomike në rrafshe të ndryshme, edhe në shoqëritë që në princip janë të avancuara sa i përket barazisë gjinore. Andaj mendoj se filmi po e ka këtë sukses, sepse nuk komunikon vetëm në mënyrë lokale por edhe në rrafshin global. Natyrisht ky është një film i Kosovës dhe i përfaqëson problemet që kanë lidhje me vendin tonë, mirëpo ato nuk janë probleme të izoluara por të përhapura nëpër gjithë botën. Kënaqësia kryesore është që në gjithë rrugëtimin e filmit ‘Vera andrron detin’, ky është komenti kryesor që e marrim, që njerëzit nuk janë duke e shikuar një film ekzotik për Kosovën por ndihen shumë të përfaqësuar për shkak të temës që ai e trajton”.
Tutje, regjisorja deklaroi se në këto dhjetë vjetët e fundit, filmat kosovar kanë udhëtuar nëpër gjithë botën. Kjo ka bërë që publiku i huaj të ketë njohuri për vendin tonë dhe temat që trajtohen përmes projekteve të ndryshme kinematografike.
“E vlefshme për mua gjatë këtij rrugëtimi është mundësia për të diskutuar me publikun nëpër vende të ndryshme, dhe për ta parë se si përjetohet një rrëfim specifik nga një vend i vogël si Kosova. Bukuria e gjithë kësaj është se ‘Vera andrron detin’ nuk është i vetmi film kosovar që e ka gëzuar një rrugëtim të tillë të suksesshëm. Filmat tanë në dhjetë vjetët e fundit kanë udhëtuar nëpër gjithë botën. Është e vërtetë që viti i kaluar ishte spektakolar, për shkak të paraqitjeve nëpër festivalet më të mira në botë. Dhe pikërisht kjo gjë më jep shumë kënaqësi, sepse tani kur ne shkojmë nëpër festivale, nuk kemi nevojë ta prezantojmë veten nga zero. Njerëzit nëse kanë ardhur për ta parë filmin tim, ata veçse i kanë parë filmat e tjerë të shoqeve të mia dhe tashmë po e ndjekin këtë valë të filmave kosovarë, sepse po u intereson si po zhvillohet kinematografia jonë”.
Por, kur vjen filmi “Vera andrron detin” në kinematë e Kosovës?
“Filmi po vazhdon të udhëtojë nëpër festivale por ajo që më mërzitë më shumë është fakti se ende nuk e ka pasur premierën kosovare për shkak të situatës me pandeminë. Fillimisht ka qenë ideja që filmi ta ketë premierën në janar por me gjithë ato që ndodhën u desh të shtyhet. Tani jemi të lumtur që filmi do ta ketë premierën në korrik, dhe i gjithë ekipi do të mblidhet sërish bashkë në një vend. Do ta shfaqim atë nëpër kinematë e Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, sepse të gjitha këto shtete kanë ndihmuar në prodhimin e projektit”, përfundoi regjisorja.
Për fund, Kaltrina tregoi se tashmë e ka filluar punën rreth filmit të ardhshëm për të cilin po bashkëpunon sërish me skenaristen, Doruntina Basha. Projekti titullohet “Bleach” apo në shqip “Zbardhje”, dhe tashmë është në fazën e zhvillimit të skenarit.n