Sukseset për filmin “Zgjoi” nuk kanë të ndalur. Projekti i regjisores Blerta Basholli i cili është dhe propozimi i Kosovës për “Oscar”, gjatë këtyre ditëve triumfoi në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Braunschweig të Gjermanisë, ku e fitoi çmimin “Die Tilda”.
“Zgjoi” gjithashtu u bë lajm në mediat vendore dhe ato të botës me t’u lansuar nëpër kinema të përzgjedhura në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga New Yorku ku zgjoi interesim të madh nga publiku për ta shikuar atë, filmi vazhdoi me një tjetër premierë madhështore në Washington DC., ku të pranishme ishin edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe ylli botëror i muzikës, Dua Lipa, e cila e ka mbështetur këtë projekt nga fillimet e tij.
Në një postim në rrjete sociale, pas shfaqjes në Washington, Lipa tha se ky film është një nga ata që duhet të shihet gjithsesi.
“Një rrëfim i mrekullueshëm që tregon historinë prekëse dhe inspiruese të Fahrije Hotit dhe grave nga Krusha. Ky rrëfim me vështirësitë dhe këmbëngulje është një që duhet treguar. Ai flet për shpirtin e përvojës kosovare dhe shpresoj që mund të ndihmojë në shërimin kolektiv të familjeve që janë ndarë dhe njerëzit që i kanë humbur më të dashurit e tyre. Jam shumë krenare me atë që Blerta Basholli ka arritur – është inspirim. ‘Zgjoi’ ka shkëlqyer në Sundance dhe po pres e shpresoj të triumfojë edhe në Oscars!!! Një film që duhet parë”.
Filmi gjithashtu u shfaq për gjithë të interesuarit edhe në Los Angeles.
Ky projekt i cili për publikun kosovar filloi së shfaquri nga 28 tetori, arriti t’i thyej të gjitha rekordet e shikueshmërisë. Kinemaja Cineplexx, ku “Zgjoi” po vazhdon të shfaqet në terminë të ndryshme, ka bërë të ditur se për vetëm 2 javë, filmi ka arritur t’i shes më shumë se 10 mijë bileta.
“Zgjoi” shpalos rrëfimin e Fahrije Hotit dhe të grave nga Krusha e Madhe. Tregon rrëfimin e një gruaje që me gjithë pengesat krijon një jetë të re për veten e saj dhe për gratë e tjera.
Kaltrina Krasniqi është bërë regjisorja e parë që merr çmimin kryesor të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Tokio. Filmi që shpalos rrëfimin e Verës, e cila lufton për të mbrojtur të drejtat e saj mbi pronën e burrit të ndjerë, është nderuar si filmi më i mirë me “Tokyo Grand Prix/The Governor of Tokyo Award”. Me “Vera andrron detin” Krasniqi për herë të parë e dërgoi vendin në garën zyrtare të këtij festivali prestigjioz.
“Janë disa arsye pse ky lajm më ka emocionuar shumë. E para, Kosova nuk ka qenë kurrë më parë në këtë festival prestigjioz. Pastaj kryetarja e jurisë - Isabelle Huppert - ka qenë dhe mbetet aktorja ime më e preferuar e të gjitha kohërave. Dhe e fundit, por jo për nga rëndësia, kinematografia japoneze ka qenë gjithmonë pikë reference në rritjen time profesionale, andaj ky çmim më nderon tej mase”, ka thënë Krasniqi për KOHA-n.
“Vera andrron detin” është një dramë gjysmëbiografike. E ndërtuar rreth eksperiencës së vërtetë të nënës së regjisores, filmi ka në fokus një interpretuese të gjuhës së shenjave, Verën (Teuta Ajdini-Jegeni), e cila detyrohet të luftojë kundër patriarkatit për të fituar trashëgiminë e burrit të saj Fatmirit (Xhevat Qorraj). Pasi që Fatmiri vret veten, ajo mund të humbë shtëpinë të cilën dëshiron t’ia lërë vajzës së saj.
Filmi me skenar nga Doruntina Basha premierën e pati në një ndër festivalet më të vjetra dhe më të mira në botë, në Festivalin e Filmit në Venecia në shtator të këtij vitit. Premiera kombëtare akoma nuk është dhënë përderisa filmi po vazhdon paraqitjen nëpër festivaleve me nam.
Filmi “2000: A Post-war Odyssey” i regjisorit Zgjim Terziqi ka marrë çmimin e tretë, ende pa nisur xhirimet. Është shpërblyer në “Crossroads Co-production Forum” të Festivalit të Filmit në Selanik, që veçohet për një përzgjedhje të fuqishme të projekteve nga Mesdheu, Ballkani dhe Evropa.
Me çerekun e buxhetit të siguruar tashmë, ky projekt është në kërkim të mundësive për ta kompletuar pjesën financiare, me qëllim që filmi të marrë formë ashtu siç është planifikuar. Ndër synimet është që kastës t’i bashkohen edhe aktorë francezë. Kështu, çmimi i ri, sipas regjisorit, i ka hapur rrugë filmit nga Kosova.
“Kemi shkuar në Selanik me dëshirën për ta marrë këtë çmim, dhe ashtu rezultoi. Bashkëproducentja jonë në Francë ka disa javë që është duke e bërë dokumentacionin gati që të aplikojmë vitin e ardhshëm për fond të prodhimit të CNC-së, dhe ky çmim do të na ndihmojë t’i mbulojmë disa shpenzime, përfshirë përkthimin e skenarit në frëngjisht, udhëtimet në Francë dhe për ta filluar procesin e castingut”, ka thënë për KOHA-n Terziqi, i cili është edhe skenarist i filmit.
Filmi zhvillohet në Kosovën e pasluftës. Në fokus është Lisi, babai i të cilit është i zhdukur dhe ai detyrohet të marrë mbi vete përgjegjësinë e kryefamiljarit. I bashkohet një ekipi të vogël cirku prej 3 francezësh.
“2000: A Post-war Odyssey” e filloi mbarë rrugëtimin nëpër festival me pjesëmarrjen në Berlinale si pjesë e programit “Script Station”. Pastaj mori pjesë në “Torino Film Lab” dhe në “Budapest Debute Film Forum”, ku mori edhe çmim. Vazhdoi këtë vit me pjesëmarrje në “Otranto Film Lab”, “Balkan Film Market” dhe në “PriFilm Fest”, ku mori çmimin për realizim të video-postproduksionit.
Ndërkaq, të dielën më 14 nëntor, koleksionin e çmimeve e pasuroi “Vera andrron detin” i regjisores Kaltrina Krasniqi dhe “Zgjoi” me regji të Blerta Bashollit. Ishin në mesin e filmave të shpërblyer në edicionin e sivjetmë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Selanik.
“Zgjoi” fitoi Çmimin e publikut në kategorinë ballkanike, kurse “Vera andrron detin” mori çmimin special të jurisë - “Aleksandri i argjendtë”- në kategorinë “Meet the Neighbors”.