NËPËR FILM

Të rejat e fundit për kinematografinë kosovare

Edhe një sukses i radhës për filmin e regjisores Norika Sefa, “Në kërkim të Venerës”. Ky projekt, i cili rrugëtimin nëpër festivalet ndërkombëtare e filloi me një triumf në festivalin e Rotterdamit, ku e rrëmbeu çmimin special të jurisë, gjatë javës që e lamë pas e fitoi çmimin “The Peter Liechti Award” në Basel.

Regjisorja Sefa ishte e pranishme në këtë ngjarje për ta pranuar shpërblimin, i cili i nderon projektet kinematografike që bien në sy, për shkak të guximit të veçantë narrativ ose vizual.

Kurse, të martën më 22 qershor, filmi e shënoi edhe premierën spanjolle në Festivalin ndërkombëtar të filmit në Valencia, “Cinema Jove”.

“Në kërkim të Venerës” ka pasur një performancë të jashtëzakonshme në pothuajse çdo festival ku është shfaqur. Para pak muajve ai i rrëmbeu edhe dy shpërblime të rëndësishme në festivalin ndërkombëtar të filmit në Hong-Kong, atë “Regjia më e mirë”, i cili shkroi për autoren e filmit “Aktorja më e mirë”, shpërblim ky i cili e vlerëson punën e Kosovare Krasniqit në këtë projekt, me të cilin njëherësh edhe ka debutuar si aktore.

I mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë e Shqipërisë, fatmirësisht xhirimet e filmit “Në kërkim të Venerës” kishin përfunduar para se të shpërthente kriza globale shëndetësore. Filmi që në rolet kryesore i sjell aktoret e reja, Kosovare Krasniqi dhe Erjona Kakeli, e përcjell përjetimin e Venerës, një vajzë e re dhe e ndrojtur, e cila fillon një rrugëtim të ri në jetën e saj pasi takon shoqen e saj të re, Dorinën. Ky përjetim e bën atë të marrë guximin dhe t’i revoltohet familjes së saj tradicionale.

Në film, gjithashtu, luajnë aktorët: Basri Lushtaku, Rozafa Çelaj, Tristan Halilaj, Shend Miftari, Ajan Zharku, Ermal Bilalli, Anisa Ismaili, Sheqerie Buqaj, Bleon Monolli dhe të tjerë.

Me një temë interesante, që zë vend pak para fillimit të luftës në Kosovë, filmi i regjisorit Fatos Berisha “Cirku Fluturues” ka arritur t’i fitojë zemrat e publikut ndërkombëtar. Por, regjisori dhe producentja e filmit janë kujdesur që më në fund, punën e madhe që e kanë bërë në këtë projekt kinematografik, ta sjellin edhe te publiku kosovar.

Nga 1 korriku, “Cirku Flutures” fillon së shfaquri nëpër kinematë kosovare, duke ua mundësuar gjithë adhuruesve të filmit në vend që ta shohin atë.

Filmi, për të cilin Berisha ka shkruar edhe skenarin, përshkruhet si komedi e zezë e bazuar në një ngjarje të vërtetë që ndodh në fund të viteve ’90 në Kosovë, në prag të luftës. Ai flet për frikën, kushtet e vështira, armikun mbi kokë, luftën që është në prag. Por, mes krejt këtyre sjell edhe dëshirën për jetë e profesion, bashkë me një humor të hollë që e mban shikuesin aktiv përballë ekranit.

“Cirku Fluturues” në role kryesore sjell katër karaktere krejtësisht të ndryshme me njëri-tjetrin, të portretizuara nga aktorët Tristan Halilaj, Armend Smajli, Shpetim Selmani dhe Afrim Muçaj.

Në mars të vitit 2020, filmi e shënoi premierën në “Cineplexx Kosova” dhe ishte menduar të bëhet pjesë e repertorit të kësaj kinemaje, por për shkak të shpërthimit të pandemisë globale, shfaqja e tij dhe të gjithë filmave tjerë u pezullua.

Megjithëkëtë, kriza globale shëndetësore nuk e pengoi rrugëtimin e projektit nëpër festivale të shumta të organizuara online, ku edhe arriti edhe të shpërblehet në disa prej tyre. Shpërblimi i parë që e mori ishte në Romë në festivalin “Fabrique du Cinema”, për të vazhduar tutje me çmimet “Filmi më i mirë” në “Santa Barbara International Film Festival”, “War on Screen” në Francë, Dea Film Festival në Tiranë, “Cottbus Film Festival” në Gjermani dhe të tjerë.