NËPËR FILM

Shkolla “Cineks” sjell programin “Shkrim për kulturë dhe kinema”

Organizata “Institute Undesignate” dhe Shkolla “Cineks”, e kanë organizuar programin “Shkrim për kulturë dhe kinema”, që parimisht për qëllim e ka zhvillimin e aftësisë së shkrimit për kulturë dhe film.

Gjithçka rreth programit, temave që i trajton, ligjëruesve e shumëçka tjetër na tregoi mysafiri i radhës në emisionin “Nëpër Film”, Lum Çitaku, themelues i “Institute Undesignate” dhe “Cineks”.

“Në bashkëpunim me një grup kolegësh kemi vendosur para më shumë se një viti e gjysmë, që ta vëmë në praktikë dhe ta gjejmë një modul të përshtatshëm që do t’i përkiste kontekstit të komunitetit kulturor, artistik, me fokus filmin dhe prodhimtarinë audiovizuale, në mënyrë që të ekzistojë një platformë e konsoliduar që ofron dhe mbledhë bashkë komentuesit dhe kritikët e kulturës, kinemasë dhe artit në përgjithësi. Në njëfarë mënyre në kuadër të mendësisë përbrenda organizatës dhe bashkëpunëtorët të cilët njëkohësisht janë ligjërues por edhe kontribues me shkrime për platformën, mënyra qysh ne e shohim është që edhe vet komentimi dhe kritika janë një lloj krijimi, kështu që është një dimension të cilin e përqafojmë si grup me të cilin ka filluar kjo iniciativë”.

Sipas Çitakut, programi “Shkrim për kulturë dhe kinema” në përgjithësi synon zhvillimin e aftësive për të kritikuar dhe analizuar në mënyrë koherente, veprat kinematografike dhe artistike.

“Aspekti i punëtorive është një dimension i rëndësishëm i këtij projekti, që është platforma dhe shkolla e ‘Cineksit’ dhe punëtoritë organizohen në kuadër të saj. Programi i parë është ‘Shkrim për kulturë dhe kinema’ që në vete e bartë një seri ligjëratash dhe punëtorish, të cilat kanë për qëllim krijimin dhe përforcimin e aftësive tek shkrimtarët dhe kritikët aspirues të ardhshëm, zhvillimin e aftësive për shkrim, komentim dhe kritikë për kulturë dhe film”.

“E gjithë platforma e ka për qëllim t’i edukojë të rinjtë të shkruajnë, por në njëfarë mënyre ta edukojë edhe publikun përmes shkrimeve, eseve, filmave dhe zhanreve dhe formave të ndryshme të komentimit të filmit dhe kulturës. Deri më tani gjithçka ka shkuar mirë dhe jemi shumë të kënaqur. Çka vlen të përmendet është që thelbi i asaj që po e bëjmë është që këta të rinj pjesëmarrës t’i angazhojmë si kolegë të barabartë, në përfundim të programit, ku realisht ata do të paguhen sikur shkruesit rezident të platformës e cila do të lansohet shumë shpejtë”, shtoi tutje Çitaku.

Në fund të seminarit dhe serisë së ligjëratave, krijuesit pjesëmarrës do ta kenë një shkrim të gatshëm për botim në blogun e “Cineks”, thotë Lumi.

do të botohen në platformën Cineks.com. Kjo platformë do ta ketë blogun e saj që do t’i përmbajë këto artikuj dhe ese nga shkruesit e rinj por edhe ata që janë rezident në kuadër të projektit. Yll Bylygbashi është dramaturgu i cili do të merret me kryeredaktimin e shkrimeve që hyjnë në kuadër të blogut. Pastaj është edhe aspekti i arkivit, do të jetë një arkiv i veprave audiovizuale duke përfshirë edhe filmat në këtë rast, që prej kohës së ‘Kosova Filmit’ ku do të ketë informata për secilin film. Pastaj do të jetë edhe një forum ku njerëzit mund të anëtarësohen dhe do të mund të komentojnë në artikujt e publikuar në këtë platformë. Qëllimi në njëfarë mënyre është që të ngjallet një debat i edukuar në raport me prodhimtarinë kulturore dhe artistike që ka ndodhur në kontekstin kosovar, që prej para luftës por sidomos edhe çka prodhohet tash”.

Nita Luci, Lura Limani, Norika Sefa, Lum Çitaku, Fatmir Mustafa – Karllo, Liburn Jupolli dhe Shpëtim Selmani, janë vetëm disa nga shkrimtarët, artistët dhe profesorët që në kuadër të programit “Shkrim për kulturë dhe kinema”, do të trajtojnë tema duke filluar nga arti, kultura, antropologjia, feminizmi, teoria e filmit, kritika, aktrimi, muzika, letërsia dhe filozofia.