Aktori i njohur kosovar, Basri Lushtaku, vjen në emisionin “Nëpër Film” me një rrëfim personal për angazhimet e tij në kinematografi dhe shumë më shumë. Në këtë intervistë, aktori i kujtoi disa prej roleve më të njohura filmike, bashkëpunimin me regjisoret kosovare, sfidat me të cilët përballet komuniteti artistik dhe të tjerë.
“Ne si aktorë e kemi për detyrë të punojmë ose kërkojmë role. Kur kemi ndonjë audicion për filma natyrisht që secili aktorë ka dëshirë të marr pjesë në to, dhe pastaj nëse e gjen gjuhën e përbashkët me regjisorin dhe e pëlqen skenarin, atëherë është kënaqësi edhe të punosh në një film”.
Por, pavarësisht se shumica e eksperiencave të Lushtakut në film kanë qenë pozitive, ai megjithëkëtë tregon se ka edhe vështirësi me të cilat përballet çdo aktorë, regjisorë apo producentë nga Kosova.
“Të realizosh film në Kosovë nuk është edhe aq e lehtë për arsye të mjeteve të pakta financiare. Shumë pak të holla ndahen për filmin dhe janë ndarë deri tash”.
Prandaj, ai bëri thirrje për përkrahje më të madhe financiare të skenës kulturore në vend.
“Unë kisha bërë lutje që sa më shpejtë të rritet buxheti për filmin. Në fakt, jo vetëm për kinematografinë por edhe për teatrin dhe kulturën në përgjithësi, sepse ne jemi ata që mund të japim shembull të mirë nëpër botë me angazhimin dhe punën tonë”.
Lushtaku nuk ngurroi ta vlerësojë lartë edhe punën e mrekullueshme të regjisoreve kosovare, duke thënë se mburret me sukseset që i kanë arritur në film.
“Përgjithësisht, regjisoret tek ne kanë treguar sukses shumë të madh. Unë po mburrem me fatin se nuk jemi vetëm ne meshkujt që bëjmë filma por janë edhe gratë tona që e bëjnë një punë jashtëzakonisht të mrekullueshme. Prandaj sukseset më të mëdha kinematografike i kemi prej tyre”.
Tutje, aktori tha se në komunitetin tonë artistik dominon kryesisht dashuria dhe respekti për njëri-tjetrin.
“Si komunitet artistik, e kemi një dashuri mes vete në punë sepse ajo edhe reflekton jashtëzakonisht mirë në atë që e bënë secili. Ndoshta kjo është ajo që po na mbanë, kjo fryma e dashurisë dhe respektit që e kemi për njëri-tjetrin po na ndihmon të realizojmë filma të mirë”.
Basri Lushtaku tashmë është në xhirime të filmit të ardhshëm të regjisorit Gazmend Nela, dhe shumë shpejtë pritet ta fillojë punën edhe për një film tjetër të metrazhit të gjatë dhe një të metrazhit të shkurtër, ku përveç si aktor vjen edhe në rolin e producentit.