Regjisori, producenti dhe skenaristi, Besim Ugzmajli, javën e filloi me dy lajme të mira. Filmi i tij i metrazhit të shkurtër “Rruga”, është përzgjedhur për t’u prezantuar në dy festivale të rëndësishme të filmit në “El Festival Internacional de Cine Bajo la Luna”, që sivjet edicionin e 13-të po e shënon online dhe “International Independent Film Festival of Elche”, që është ngjarje kualifikuese për shpërblimet “Goya” të cilat i ndan Akademia Spanjolle e Filmit.
Me gjithë eksperiencën e krijuar nga prezantimi i projekteve të tij: “Erë”, “The Eaters”, “Më fal” dhe “Rruga” në qindra festivale të filmit në botë, Ugzmajli për emisionin “Nëpër Film” tregoi se më së shumti e vlerëson opinionin apo kritikën e publikut kosovar.
Derisa pandemia e koronavirusit ka bërë shumë filmbërës që të shkëputen nga puna, dhe ta shfrytëzojnë kohën e lirë për të pushuar, Besim Ugzmajli, e ka bërë të kundërtën duke punuar në realizimin e një dokumentari të ri.
Të gjithë ata që e njohin, e dinë së dashuria e Besimit për regji ndahet mes filmit dhe teatrit. Ai foli për dallimin mes këtyre dy fushave të pëlqyera të artit.
Së fundmi, regjisorin e kemi parë duke kontribuuar me talentin e tij edhe në realizimin e një videoprojekti muzikor. Bëhet fjalë për këngën “Për ju” të këngëtarit Mentor Haziri. A është kjo diçka që Ugzmajli mendon të vazhdojë ta bëjë edhe në të ardhmen?
I pyetur se kur do të mund ta shohim duke debutuar me film të metrazhit të gjatë, Ugzmajli tha se dëshira dhe idetë për ta realizuar një projekt të tillë nuk i mungojnë, por gjithçka varet nga sigurimi i buxhetit.
“Rruga” mbetet filmi i fundit i regjisorit, Besim Ugzmajli, i cili bën thirrje për shoqërinë që të reagojë përballë dhunës e shkeljes së të drejtave të njeriut. Në rolet kryesore të projektit vijnë aktorët, Gresa Pallaska dhe Mal Noah Safqiu.