NËPËR FILM

Protagonistet e tre filmave të mëdhenj të 2021-tës

Edicioni festiv i emisionit “Nëpër Film” i dedikohet gjeneratës së re të aktoreve, të cilat qysh me filmat e tyre të parë të metrazhit të gjatë kanë marrë vlerësime të larta dhe kanë prekur skena të festivaleve të mëdha ku madje edhe janë shpërblyer.

Mysafire të ftuara në studio janë 3 protagoniste të 3 filmave të mëdhenj dhe të suksesshëm shqiptarë, Rina Krasniqi, Alketa Sylaj dhe Kosovare Krasniqi.

Në këtë bisedë aktoret treguan për eksperiencat e tyre në filmat, “Virgjëresha shqiptare”, “Vera andrron detin” dhe “Në kërkim të Venerës”, sfidat nëpër të cilat kalojnë aktorët në vend dhe sukseset e fundit që kinematografia kosovare po i shënon në çdo cep të botës, përjetimet e tyre në sheshin e xhirimeve, bashkëpunimin me kolegë e regjisorë, dashurinë që e kanë për aktrimin dhe shumëçka tjetër.

“Më së miri është që filmi ka shkuar atje dhe krejt ajo punë e palodhshme është shpërblyer më së miri që është e mundur, sidomos duke e ditur që festivali i Venedikut është një prej festivaleve më të vjetra në botë të cilin deri vonë vetëm e kemi ëndërruar dhe i kemi përcjellë ata filma përmes televizionit, kurse tani jemi duke u bërë pjesë e kinematografisë botërore dhe po bëhemi bisedë e mbarë botës”, deklaroi Alketa.

“Jam gëzuar shumë edhe për sukseset e kinematografisë sonë dhe filmave tanë që janë vërtetë fantastik dhe jo të thjeshtë apo të zakonshëm. Kjo vërehet edhe nga sukseset të cilat i kemi korrur në secilin prej festivaleve që kemi marrë pjesë, qoftë ai i Venedikut, Varshavës apo Rotterdamit, të cilat janë festivale të kategorisë A”, shtoi tutje Rina.

“Ajo që më së shumti më ka gëzuar nga ky vit janë filmat të cilët kam arritur t’i shoh, dhe secili prej neve si regjisorë, aktorë dhe aktore kanë korrë sukses dhe po besoj që kjo është vlera më e madhe që e kemi arritur këtë vit. Sidomos marrë parasysh faktin se jemi një popull i ri i cili po prodhon shumë filma, arritja e këtyre sukseseve kaq të mëdha për një periudhë të shkurtër kohore është vërtetë e mrekullueshme”, tha Kosovarja.

Por, pavarësisht sukseseve që filmat tanë po i shënojnë anembanë globit, nuk ka si të injorohet një prej sfidave më të mëdha të filmbërësve dhe aktorëve të këtyre projekteve, që është mbështetja e vogël financiare.

“Mbështetja duhet të jetë e një niveli më të madh, në kontekstin financiar dhe thjeshtë përkrahjes së artistëve dhe këtyre prodhimeve kinematografike. Këto janë punë disa vjeçare, një film ndoshta xhirohet për një periudhë disa mujore por në tërësi si projekt punohet me vite për finalizimin e tij. Po ashtu ka njerëz të cilët harxhojnë shumë pasion, dashuri, energji, ndjenja, nerva dhe çdo element qenësor të tyre për ta bërë produktin të arrijë deri në atë nivel të lartë teknik dhe kinematografik”, deklaroi Krasniqi.

“E mira është që projektet e ardhshme dhe këta njerëz që e kanë dëshmuar veten që kanë talent dhe potencial, të arrijnë ta ketë mbështetjen e duhur që të mos sakrifikojnë aq shumë kohë, por njëkohësisht edhe të kenë buxhet pak më të përafërt me filmat me të cilët ne përballemi nëpër festivale të ndryshme”, përfundoi tutje Alketa.

E falë punës së madhe që po bëhet në projektet kinematografike, vjetëve të fundit vendit tonë i është kthyer publiku nëpër kinema.

“Këtë vit me të vërtetë kam parë, si në shfaqje ashtu edhe në filma, që ka pasur shumë publik. Ndoshta kjo ndodhë ngase në vitin e kaluar gjithçka ka qenë krejtësisht e mbyllur, si kinematë ashtu edhe teatri, prandaj këtë vit publiku ka qenë shumë prezent në të gjitha ngjarjet dhe dukej se njerëzit ishin tejet të interesuar t’i shohin këto projekte që janë prodhuar. Shpresoj se kjo gjë do të vazhdoj edhe në vitet e ardhshme”, tha Kosovarja.

Tutje aktoret tona të reja por të talentuara dhe të suksesshme, mundohen që me punën dhe mundin e tyre ta përfaqësojnë Kosovën sa më mirë që është e mundur, në çdo anë të botës.

“Arti është gjithmonë ambasador i kulturës së një vendi, është ajo që të dallon si Kosovë nga Franca, Gjermania apo Anglia. Po ndërlidhem me atë që tha Alketa sa i përket buxhetit, sepse është shumë e vështirë të punohet me buxhete kaq të vogla dhe të arrish të krijosh prodhime të këtilla, sepse në fund të ditës, ka ndodhur që njerëzit kanë investuar nga xhepi i tyre për realizimin e një projekti, por e kanë bërë këtë duke besuar në ëndrrën e tyre dhe pasionin e sinqertë që kanë pasur për filmat që i kanë krijuar”, tha Rina.

“Sigurisht që në festivalin e Hong-Kongut të gjithë aktorët kanë qenë shumë të mirë, por secili ka gjetur diçka nga vetja tek personazhi i Venerës të cilin unë e portretizoj. Sepse ka pasur shumë komente ku thuhej se vajzat në Hong-Kong dhe në periferi të Kinës apo Japonisë janë të kufizuara dhe kanë përjetuar ngjarje të ngjashme sikurse Venera e cila është rritur në Kaçanik. Dhe kjo gjë më ka bërë të ndihem pak më ndryshe dhe kam thënë se arti me të vërtetë është shumë universal dhe i fuqishëm”, shtoi tutje Kosovarja.

Kurse, Alketa Sylaj tregoi se pse filmi “Vera andrron detin” ka qenë eksperienca më e bukur në karrierën e saj si aktore.

“Në këtë film e kam krijuar një prej eksperiencave më të veçanta në gjithë karrierën time sepse aty luan edhe profesori im, Astrit Kabashi, të cilin e dua shumë dhe po të mos ishte ai me siguri unë as nuk do të merresha me aktrim. Po ashtu, Kaltrina Krasniqi dhe Doruntina Basha, janë dy prej grave punën e së cilave e përcjelli tash e sa kohë dhe unë gjithmonë kam punuar drejt asaj që të kem rastin të bashkëpunoj me njerëz, artin e së cilëve e çmoj dhe e vlerësoj punën që e bëjnë”.

E dashuria dhe respekti i madh për kolegët nuk mungon tek asnjëra prej aktoreve.

“Unë e dua shumë komunitetin artistik dhe aktorët në përgjithësi dhe mendoj se ne gjithmonë duhet të jemi shumë të çiltër dhe të sinqertë me veten fillimisht dhe pastaj me gjithë kolegët dhe miqtë tanë të cilët i krijojmë gjatë karrierës sonë. Sepse nëse nuk e kemi këtë dashuri, pasion dhe çiltërsi, atëherë edhe nuk na zë gjumi rehat”, tha Rina.

“Ky nuk është art i vetmisë por kërkon punë ekipore dhe shumë përqendrim, kërkon të jesh person që ke shumë durim dhe të jesh bashkëpunues dhe i këndshëm për të tjerët. Për këtë arsye, për mua sinqerisht me të gjithë artistët që punoj fillimisht shikoj nëse janë njerëz të mirë dhe të dashur, sepse kjo më bënë pastaj t’i dua ata dhe artin e tyre. Nëse nuk e ke këtë lidhje me ta, pastaj është shumë më e vështirë me mbërri kualitetin e punës që e dëshiron por edhe ajo mund të bëhet. Nganjëherë është një përvojë interesante dhe frymëzuese nëse punon me dikë me të cilin i ke edhe disa pakënaqësi”, deklaroi Alketa.

Kosovare Krasniqi ndër të tjera tregoi se puna me regjisoren, Norika Sefa, ka qenë e veçantë, e lehtë dhe frymëzuese për të.

“Jam shumë e lumtur me gjithë procesin që ka shkuar shumë më ndryshe nga puna me regjisorët tjerë të cilët i kam takuar dhe kam punuar me ta, sepse Norika Sefa thjeshtë të ka treguar çfarë të bësh, ti ndoshta ke provuar ta realizosh atë skenë dhe nëse nuk ke arritur, atëherë ajo të ka thënë ‘Bëjë çfarë të duash’. Do të thotë, ka lejuar që secili emocion i aktorëve të dalë në mënyrë tepër organike”.

Filmat “Virgjëresha shqiptare”, “Vera andrron detin” dhe “Në kërkim të Venerës”, pritet të lansohen nëpër kinematë e Kosovës dhe Shqipërisë gjatë vitit 2022, dhe publiku mezi po pret t’i shikojë ata.