“Everybody Calls Redjo” titullohet filmi i ardhshëm i regjisorit nga Kumanova, Ibër Deari. Gjatë intervistës për emisionin “Nëpër Film”, Deari zbuloi hollësi rreth procesit të xhirimeve të këtij projekti, temës që e trajton, bashkëpunimit me aktorët dhe ekipin realizues, eksperiencës së punës në filmin e parë të metrazhit të gjatë dhe shumëçka tjetër.
“Everybody Calls Redjo” e prek temën e largimit të njerëzve nga vendlindja për ta gjetur një jetë më të mirë. Pas mbetet vetëm Rexha. Ai bëhet ndihma e vetme që shtrihet në çdo familje të fshatit fiktiv në Maqedoninë e Veriut, Sllupkovë. Kështu edhe lind rrëfimi i ikjes së të rinjve drejt Evropës.
E ai që e jetëson Rexhep Nushin, kryeprotagonistin e filmit, është Afrim Muçaj, i cili në rol përkrah ka gruan e tij, Hirën, të cilën e portretizon Adriana Matoshi.
Në rolet e tjera vijnë aktorët: Ledion Mulaki, Adem Karaga, Labinot Raçi, Bujar Ahmeti, Adrian Aziri, Bereda Reshit, Mirsad Abazi, Daniela Markaj dhe të tjerë.
“Everybody Calls Redjo” pritet që të finalizohet deri në fillim të vitit të ardhshëm dhe ta fillojë rrugëtimin nëpër kinema e festivale.