Filmi i shkurtër i Samir Karahodës, “Pa Vend”, është pjesë e konkurrencës zyrtare në kategorinë e filmave të shkurtër në Festivalin e Kanës. Kjo konsiderohet një arritje mjaft e madhe për kinematografinë tonë, dhe njëkohësisht një sukses i jashtëzakonshëm për Kosovën.
Regjisori dhe skenaristi i këtij projekti, Samir Karahoda, për emisionin “Nëpër Film” tregoi për emocionin e veçantë që ia solli lajmi se filmi i tij, “Pa vend”, do të konkurrojë për çmimin kryesor të kësaj ngjarjeje prestigjioze atë “Palma e Artë”.
“Normal është ëndërr e secilit autor me qenë pjesë e një festivali siç është Festivali i Kanës. Unë personalisht e konsideroj si ngjarjen më të madhe në botë që ekziston sa i përket industrisë së filmit. Dhe vet fakti që jemi zgjedhur në mesin e dhjetë projekteve ku kanë aplikuar afërsisht katër mijë filma nga e gjithë bota më bënë edhe më të lumtur dhe më krenarë, posaçërisht për faktin se kemi punuar tërësisht me një ekip lokal nga Kosova, duke filluar nga producenti, montazheri dhe kompozitori. Pra kjo gjë më bënë pak më të lumtur dhe na e jep një vetëbesim pak më të madh”, deklaroi regjisori.
Tutje ai tregoi se i gjithë ekipi i filmit është entuziazmuar me seleksionimin në Festivalin e Kanës, veçanërisht protagonistët e këtij projekti.
“Personazhet që e luajnë rolin kryesorë në film janë protagonistë të vërtetë që e kanë përjetuar këtë ngjarje, dhe gjatë xhirimit bënim shaka duke ju thënë se ‘si sportistë keni dështuar por si artistë keni shkëlqyer’. Dhe kjo doli të jetë e vërtetë sepse ata si sportistë nuk kishin arritur asnjëherë të shkojnë jashtë shtetit të luajnë në lojë ndërkombëtare, prandaj them se për ata, seleksionimi në Festivalin e Kanës është një ndjenjë e veçantë dhe një ndoshta edhe një shpërblim i madh për krejt ato që i kanë bërë gjatë këtyre vjetëve”, shtoi Karahoda.
Pse ka menduar regjisori se është e rëndësishme t’i trajtojë problematikat me të cilat përballen sportistet në Kosovë, në filmin e tij të shkurtër dokumentar.
“Rrëfimi i filmit është nga koha e pasluftës e deri në ditët e sotme, ku paralelisht trajtohen edhe disa tema që na prekin në jetën e përditshme neve si shoqëri, si pashpresa, jeta e mërzitshme në këtë vend, në të njëjtin kohë edhe diskriminimin pasi që në Kosovë respektivisht e kemi një diskriminim të sporteve të vogla, ku askush nuk i sheh këta sportistë si njerëz të zakonshëm. Unë personalisht mendoj që çdo sportist është i njëjtë, secili prej tyre ka ndjenja të njëjta me tjetrin, nuk besoj që një futbollist gëzohet më shumë kur fiton se sa një pingpongist. Prandaj mendoj se këtë temë është dashur ta trajtoj në filmin tim, pasi vlen për ta rrëfyer atë dhe e kemi konfirmuar se ja ka vlejtur me të vërtetë”.
Karahoda po ashtu foli për rrugëtimin tutje të filmit, duke treguar se tashmë u është konfirmuar pjesëmarrja në disa festivale të rëndësishme, të cilat do t’i bëjnë publike shumë shpejtë.
“Tashmë veç kemi pranuar kërkesa të shumta, fillimisht për shikimin e filmit, pasi ata duan ta vlerësojnë vet atë, pavarësisht se është përzgjedhur në garën zyrtare të Kanës. Por, i kemi disa ftesa të konfirmuara prej festivaleve mjaft të mira që nuk mund t’i bëjë të ditura tani, pasi që rregullat e festivaleve janë të tilla dhe duhet të presim që fillimisht t’i publikojnë ata emrat e filmave që i kanë përzgjedhur. Por besoj që shumë shpejtë do t'iu informojmë edhe për festivalet tjera ku do të marrim pjesë” përfundoi regjisori.
“Pa Vend”, që filloi xhirimet në muajin shtator të vitit të kaluar, sjell rrëfimin e klubit më të suksesshëm të pingpongut nga Prizreni “Lidhja e Prizrenit”, duke rikrijuar historinë e protagonistëve nga paslufta në kontekstin e situatës së sotme. Filmi i zhanrit docu-fiction përcjell përpjekjet e vazhdueshme të Jetonit dhe Ermeganit, të udhëhequr nga trajneri i tyre Rifati, që të mbajnë sportin e pingpongut gjallë duke zhvilluar gjenerata të reja të pingpongistëve.