NËPËR FILM

Një ditë në sheshin e xhirimeve të filmit “Heshtja e Sirenave”

Regjisori kosovar, Gazmend Nela, është në prag të përfundimit të xhirimeve të filmit të dytë të metrazhit të gjatë, i cili po xhirohet në lokacione të ndryshme të Kosovës.

“Xhirimet deri më tani kanë shkuar shumë mirë, na kanë mbetur edhe pak ditë deri në përfundim të tyre. Të them të drejtën jemi lodhur pak, sepse për këtë punë nevojiten orë të gjata, disa ditë kemi xhiruar natën dhe kemi pasur mot të ftohtë, por tani që jemi drejt fundit, sado që jam i lumtur që gjithçka po përfundon jam po ashtu i pikëlluar, sepse i kemi kaluar më shumë se 30 ditë së bashku dhe tani duhet të përshëndetemi. Do të më mungojnë shumë të gjithë. Por angazhimet për mua nuk mbarojnë këtu, ka mbetur montimi i filmit dhe disa punë të tjera të cilat më presin tutje”, deklaroi regjisori në një intervistë për emisionin “Nëpër Film”.

Me titull “Heshtja e Sirenave”, filmi e sjell një histori fiktive por që përkon me jetën tonë. Në rolin protagonist vjen aktori, Sunaj Raça, i cili e përshkruan atë një tregim mjaft emocional.

“Filmi është një dramë serioze që shtjellon situata dhe rrethana të cilat ne i jetojmë. Unë e luaj rolin protagonist dhe mund të them se është përgjegjësi mjaft e madhe për secilin aktor, të ballafaqohet me një sfidë të tillë ku e gjithë barra e filmit bie mbi të. Brenda filmit ka kthesa të ndryshme dramatike dhe në përgjithësi mund të them se është mjaft emocional”, tha Raça.

Pjesë e kastës së aktorëve të filmit janë edhe Amernis Nokshiqi nga Shkupi, dhe aktori nga Shqipëria, Neritan Liçaj. Punën me regjisorin kosovar, aktorët e përshkruajnë si një eksperiencë mjaft të mirë.

Filmi i Gazmend Nelës pritet të lansohet për publikun gjatë vitit 2023, dhe sigurisht se atë e pret një rrugëtim nëpër festivale prestigjioze të filmit.

“Heshtja e Sirenave” është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, dhe është bashkëprodhim i katër shteteve, Kosovë, Zvicër, Maqedoni i Veriut dhe Shqipëri.