Aktori i mirënjohur kosovar, Agron Shala, ishte i ftuari i radhës në emisionin “Nëpër Film”, ku ka rrëfyer për projektet e tij të fundit filmike.
Ai tashmë i ka xhiruar disa projekte të metrazhit të gjatë që pritet të lansohen gjatë vitit, dhe në muajin maj rikthehet në sheshin e xhirimeve për filmin e radhës të regjisorit Dritëro Mehmetaj.
“Secili aktorë për këtë është i thirrur, të jetë pjesë e filmave dhe projekteve. Ndihem mirë kur jam aktiv dhe punoj sepse ky profesion nuk përmbushet nëse nuk shoqërohet me punë. Unë lumturohem dhe ndihem i plotësuar kur jam pjesë e filmave”, deklaron Shala.
Ndër të tjera aktori bëri thirrje për përkrahje më të madhe për filmbërësit dhe aktorët në vend, të cilët deri më tani kanë punuar në kushte sfiduese të udhëhequr nga vullneti dhe entuziazmi i madh për punën.
Shala po ashtu zbuloi detaje nga prapaskenat dhe rolet në filmat, “Last Exit” me regji të Bekim Gurit, “Personazh” nga Ekrem Xani dhe “Hana” me regji të Ujkan Hysajt, si dhe i kujtoi disa prej përvojave më të mira në projektet e kaluara filmike e televizive.