NËPËR FILM

"Në kërkim të Venerës”, filmi debutues i Kosovare Krasniqit si aktore

E ftuar në edicionin më të ri të emisionit “Nëpër Film” ishte aktorja Kosovare Krasniqi. Së fundmi, filmi i saj debutues “Në kërkim të Venerës” i rrëmbeu dy shpërblime të rëndësishme në festivalin ndërkombëtarë të filmit në Hong-Kong, atë “Regjia më e mirë” i cili shkroi për autoren e filmit Norika Sefa dhe “Aktorja më e mirë”, shpërblim ky i cili e vlerëson punën e Kosovare Krasniqit në këtë projekt, me të cilin njëherësh edhe ka debutuar si aktore.

Krasniqi tha se është shumë e lumtur për çmimin e saj të parë, duke treguar tutje se nuk e kishte imagjinuar një sukses të tillë, por thjeshtë ishte e lumtur që ka pasur rastin të bëhet pjesë e këtij projekti dhe kështu ta vazhdojë ëndrrën e saj për aktrimin.

“Kur kam shkuar në audicion nuk e dija për çfarë projekti bëhej fjalë. Ishte thjeshtë titulli “Në kërkim të Venerës” edhe ngaqë unë e kisha ëndërr aktrimin, vendosa të shkoj dhe ta sfidoj veten në një audicion dhe thash edhe nëse nuk e marr këtë rol, mjafton që regjisorja Norika Sefa më ka ftuar në të marr pjesë në audicione të këtij filmi. Ka qenë një shtysë ende më e madhe për mua që ta vazhdoj ëndrrën time edhe nëse nuk do ta kisha fituar rolin e Venerës”.

Megjithëse në këtë eksperiencë të parë në një shesh të xhirimeve ishte ndihmuar shumë nga regjisorja dhe aktorët e tjerë që ishin pjesë e filmit, Kosovarja megjithëkëtë e kujton një gjë e cila i është dukur e vështirë ta përballoj si aktore e re.

“Nuk dija si ta krijoja një rol apo si ta përjetoja atë. Më kanë ndihmuar shumë edhe të tjerët por komunikimi, shoqërimi, rrethi krejt tjetër, jeta që kam jetuar gjatë kohës së xhirimeve ishte krejt ndryshe për mua, pasi për gati dy muaj kam jetuar në Kaçanik pa familjen time dhe kjo ishte pjesa më e vështirë për përgatitjen e këtij roli, pasi nuk e dija saktësisht punën e një aktoreje, kështu që këto pjesë mbesin si sfida më e vështirë e gjithë kësaj eksperience. Gjithçka tjetër ka ecur mirë, lehtë dhe me bashkëpunim”.

Ndër të tjera, Kosovarja e cila është edhe studente në fushën e aktrimit, tha se është e lumtur që karrierën e saj e ka filluar pikërisht në vendlindje.

“Aktrimi është i vështirë në secilin vend të botës. Ndoshta në vendet tjera përkrahet më shumë se këtu por sipas mendimit tim, sërish nuk e ka vlerësimin që i duhet këtij profesioni. Në fakt unë jam shumë e lumtur që punoj dhe e kam filluar karrierën në vendin tim dhe gjuhën time dhe me njerëzit me të cilët jemi rritur, siç janë edhe profesorët e mi Luna Jaha e Ilire Vinca, të cilët jemi rritur duke e parë punën e tyre. Ngase nuk kemi shumë mundësi me e tregu veten në aktrim, besoj që secili kur i vjen rasti i parë për ta bërë një gjë të tillë, i shpërthen të gjitha ato ndjenjat që i ka mbajtur të shtrydhura përbrenda deri në ditën kur ka mundur t’i shfaq para publikut”.

Tutje aktorja tregoi se do të vazhdojë të punojë edhe më shumë në realizimin e projekteve filmike e teatrale në vend, dhe se kur e dashuron punën që e bënë, nuk ka çfarë të të largojë nga ajo.

“Nuk besoj se ka me qenë pengesë për asnjërin prej neve ta vazhdoj karrierën si aktorë edhe pse jemi në një vend shumë të vogël ku nuk përkrahet edhe aq shumë puna jonë, kjo ngase secili prej nesh lufton shumë dhe e dashuron me gjithë shpirt aktrimin. Prandaj nuk ka asgjë që mund të na ndalë dhe kjo gjë po vërehet edhe nga të gjitha sukseset që po i arrijmë”.