More Raça është një regjisore e re në moshë, por e cila e ka dëshmuar talentin e saj me secilin projekt të realizuar.
Ajo shquhet për filmat e suksesshëm të metrazhit të shkurtër, “Amel”, “Home” dhe “Ajo”, i cili ishte në mesin e 3 filmave propozim të Kosovës për ceremoninë “Oscar” në kategorinë “Filmi më i mirë i huaj”.
Rrugëtimin në karrierën e saj si regjisore, More Raça e vazhdoi me filmin e parë të metrazhit të gjatë, “Andromeda Galaxy” dhe dokumentarin e ri, “Home is where the films are”. Ky i fundit ia solli regjisores dhe çmimin e parë për vitin 2020, duke u shpërblyer në festivalin e filmit “goEast” në Gjermani.
Raça pë emisionin “Nëpër Film” të KTV-s tha se tashmë e ka planifikuar rrugëtimin e këtij projekti në festivale të rëndësishme të filmit në botë.
Një pikë e rëndësishme në zhvillimin e Raçës si skenariste dhe regjisore, ishte dhe debutimi në film të metrazhit të gjatë me projektin, “Galaktika e Andromedës”, i cili ia mundësoi asaj të prezantohet në festivale prestigjioze të filmit si dhe të shpërblehet me çmime të rëndësishme.
Nuk mund ta anashkalojmë edhe suksesin e filmit “Ajo”, që përveç pjesëmarrjes në festival të kategorisë A edhe u shpërblye me disa çmime të rëndësishme kinematografike. Raça thotë të jetë ndarë tejet e kënaqur me rrugëtimin e këtij projekti.
More Raça gjithashtu tregoi se sa mendon që vlerësohet puna e një regjisori në Kosovë, sidomos regjisoreve femra të cilat edhe pse në numër më të vogël, viteve të fundit kanë arritur suksese të jashtëzakonshme me filma që prekin tema sociale dhe vijnë të realizuara në mënyrë mjaft të veçantë.
Dhe në fund, regjisorja i shpalosi planet e saj për vitin 2020.