Pas një viti sfidues pandemie, festivali “Anibar” së shpejti e fillon edicionin e tij të 12-të, duke e sjell para publikuat magjinë e botës mahnitëse të animacionit.
për media e festivalit, Rina Statovci, ishte e ftuar në emisionin “Nëpër Film”, ku tregoi për gjithçka që do ta karakterizojë këtë ngjarje sivjet. Ndër të tjera, Rina tha se ky do të jetë një prej edicioneve më të mira të festivalit, të organizuar ndonjëherë.
“Po mundohemi që sa ma shpejtë t’i përfundojmë të gjitha përgatitjet që me e sjell një prej edicioneve më të mira që ndonjëherë e ka pas ‘Anibari’. Pra duke e marrë parasysh që vitin e kaluar jemi detyruar që gjithë festivalin ta mbajmë online, këtë vit e kemi mundësinë ta organizojmë atë në formë hibride. Pra festivali mbahet edhe në mënyrë fizike por edhe është mundësia për personat e interesuar për të përcjellë festivalin, që ta bëjnë këtë në platformat tona online. Jemi duke i bërë gati kinematë dhe krejt pjesët tjera që duhen për të filluar festivali, pra punëtoritë dhe gjithçka tjetër që e kemi përgatitur për këtë edicion”.
“Anibar” vjen me një temë të veçantë këtë vit, që është “Izolimi”.
Sipas organizatorëve, falë situatës së shkaktuar nga pandemia COVID-19, e gjithë bota e ka kuptuar se çfarë do të thotë të jesh i izoluar.
“Sa i përket izolimit, janë tri arsye që i kisha përmend pse i përshtaten pikërisht kësaj teme. E para është, siç e dimë, ajo çka e ka tejkaluar e gjithë bota sa i përket Covid-19. Pra kemi dashur ta shohim se si po e paraqesin këta animatorë atë ndjenjën e izolimit që e kanë përjetuar gjatë pandemisë. Secili person ka storje të ndryshme dhe gjëra të ndryshme që u kanë ndodhur gjatë pandemisë, dhe është shumë interesant me i pa nëpërmjet filmave të animuar se qysh mundën me i shfaqë ato. Përveç kësaj, diçka që ne si shtetas të Kosovës e kemi ndier sa e sa vite dhe ende vazhdojmë ta ndjejmë, është izolimi që e kemi brenda shtetit. Pra sa i përket punës së vizave, neve ende na duhen vizat për udhëtuar dhe për ta gëzuar të njëjtin privilegj që e ka secili shtetas tjetër në botë apo Evropë. Pra jemi munduar ta kapim atë pjesën e të qenit të ngujuar përbrenda shtetit. Edhe pse vitin e kaluar e gjithë bota e ka ndier izolimin, ne si kosovarë e kemi përjetuar këtë ndjenjë gjithë jetën. Pra në njëfarë mënyrë është diçka që shumë i përshtatet kësaj teme. Pjesa tjetër është që, kur animatorët fillojnë ta krijojnë një film apo çfarëdo projekti që e kanë, ata pak a shumë izolohen në studiot e tyre deri sa të kryhet projekti dhe përfundon pra në mënyrë shumë të mirë. Pak a shumë është edhe kjo pjesa e izolimit në studio të personave kreativ siç janë animatorët, për ta krijuar një film të animuar”.
Festivali Ndërkombëtarë i Filmit të Animuar vjen me një program mjaft të pasur prej 300 filmash, të cilët shfaqen në gjashtë kategoritë garuese: Gara Ndërkombëtare, Gara Studentore, Gara Ballkanike, Gara e Videomuzikës së Animuar, Gara e Filmit të Metrazhit të Gjatë dhe Kategoria e të Drejtave të Njeriut dhe tri kategori tjera që janë jokonkurruese: Panorama Jashtë Garës dhe Programi për Fëmijë dhe të Rinj.
“Diçka shumë e mirë që ka ndodhur në këtë edicion është se në krahasim me edicionet e tjera, ka pasur shumë interesim për pjesëmarrje nga animatorë të Kosovës dhe Shqipërisë. Jemi duke e vënë re sa shumë është rritur interesimi sa i takon fushës së animacionit, në te dyja këto shtete, gjë që është shumë e mirë dhe diçka që festivali ‘Anibar’ prej fillimit e ka pasur për qëllim ta krijojë. Për këtë arsye ekziston edhe Akademia e Animacionit që është pjesë e festivalit, dhe e cila mundohet t’ua japë platformën dhe hapësirën, sidomos të rinjve në Kosovë, për të mësuar më shumë rreth animacionit dhe për ta krijuar një film të tyre. Pra filmat janë shumë interesant dhe kjo pjesa që ka shumë interesim, duke shpresuar që edhe vitet e ardhshme do të vazhdojë njëjtë, është diçka shumë e mirë që ka ndodhur për këtë edicion të 12-të të ‘Anibarit’”.
Rina Statovci po ashtu e shpjegoi qëllimin kryesor që e kanë organizatorët, në çdo edicion të “Anibar”-it.
“Qëllimi ynë kryesor është të kemi fëmijë të cilët aplikojnë për të qenë pjesë e punëtorive dhe për të krijuar animacione. Si gjithmonë, animacioni është fokusi kryesorë i festivalit tonë. Me shfaqë animacione, por në të njëjtën kohë edhe për t’ua mësuar të tjerëve gjithë procesin e krijimit të një filmi të animuar”.
Edicioni i 12-të i “Anibarit” mbahet nga 23 deri më 30 korrik, në qytetin e Pejës.