NËPËR FILM

Lajmet e fundit nga kinematografia në vend

“Exile”, propozimi i Kosovës për ceremoninë “Oscar”

Për të shtatin vit me radhë, Kosova e ka përzgjedhur filmin zyrtar që do ta propozojë për nominim për ceremoninë prestigjioze “Oscar”. Këtë vit filmi i Visar Morinës, “Exile”, është propozimi i Kosovës në ngjarjen e madhe kinematografike, e cila zë vend në teatrin “Dolby”, në Los Angeles. Kështu bëri të ditur javën e kaluar Qendra Kinematografike e Kosovës, sipas së cilëve komiteti përzgjedhës i përbërë nga: Sevdije Kastrati, Alban Ukaj, Kaltrina Krasniqi, Bujar Kabashi, Doruntina Basha, Ilir Gjocaj dhe Kreshnik Berisha, ka vendosur që filmi “Exile” të jetë propozim për kategorinë “Filmi më i mirë i huaj”, transmeton Koha.

“Exile”, i cili është bashkëprodhim mes Gjermanisë, Kosovës dhe Belgjikës, sjell dramën e shqiptarit me emrin Xhafer, inxhinier i kimisë, i cili bëhet cak i sulmeve raciste nga kolegët e tij. Përveç presionit psikik dhe emocional në punë, Xhaferit i tensionohet edhe raporti me gruan e tij gjermane Nora, e cila beson se ai është duke e ekzagjeruar situatën.

Filmi, i cili premierën botërore e pati në festivalin e filmit “Sundance” në Amerikë dhe atë evropiane në “Berlinale”, në fund të muajit gusht 2020 e shënoi triumfin e radhës, duke e fituar “Zemrën e Sarajevës”, që është çmimi më i madh në Festivalin e Filmit në Sarajevë. Kështu Visar Morina u bë filmbërësi i parë nga Kosova të cilit iu akordua një çmim i tillë në edicionin e 26-të të festivalit të famshëm.

“Cirku Fluturues” fiton çmimin e jurisë “Grand Prix” në Francë

Filmi i regjisorit Fatos Berisha, “Cirku Fluturues”, e shënoi suksesin e radhës në rrugëtimin e tij nëpër festivalet ndërkombëtare.

Në edicionin e 8-të të festivalit ndërkombëtar të filmit “War on Screen”, filmi kosovar arriti të shpërblehet më çmimin e jurisë “Grand Prix” në konkurrencën ndërkombëtare.

Me një temë interesante, që zë vend pak para fillimit të luftës në Kosovë, filmi i regjisorit Fatos Berisha “Cirku Fluturues” ka arritur t’i fitojë zemrat e publikut vendor dhe të huaj. Regjisori ishte i pranishëm në ceremoninë përmbyllëse për ta pranuar çmimin, së bashku me producenten e filmit Vjosa Berisha.

I bashkëfinancuar nga QKK-ja, “Cirku Fluturues” e përmbledh realitetin e viteve ’90 dhe i takon zhanrit dramë, por shoqërohet edhe me dozë të komedisë. Në rolet kryesore i sjell katër karaktere krejtësisht të ndryshme me njëri-tjetrin, të portretizuara nga aktorët: Tristan Halilaj, Armend Smajli, Shpetim Selmani dhe Afrim Muçaj. Në kohë lufte, katër shokët vendosin t’i kalojnë ilegalisht kufijtë e shteteve fqinje, për të shkuar në Tiranë për ta ndjekur një festival të teatrit. Por, misioni i vërtetë i aktorëve është ta takojnë idhullin e tyre, Michael Palin.

Megjithëse filmi e pati shënuar premierën kosovare dhe ishte futur në repertorin e kinemasë Cineplexx, shfaqja e tij për publikun ishte ndërprerë për shkak të pandemisë së koronavirusit. Ndërkaq, së fundmi ky projekt i Fatos Berishës u shfaq edhe në festivalin e filmit në Monte Carlo, dhe në kuadër të festivalit të filmit “Dea” në Tiranë, ku edhe i fitoi 3 shpërblime. “Cirku Fluturues” u nderua me çmimin kryesor të festivalit, “Filmi më i mirë i metrazhit të gjatë”, çmimin për aktorin/aktoren më të mirë që shkon për grupin e aktorëve: Armend Smajli, Tristan Halilaj, Afrim Muçaj dhe Shpëtim Selmani, dhe çmimin e Jurisë së Medias.

Adhuruesit kosovarë të filmit rikthehen në “Cineplexx”

Më 1 tetor të këtij viti, kinematë “Cineplexx” në Prishtinë dhe Prizren i hapën dyert për të gjithë adhuruesit e filmit, pas gjashtë muajsh të pezullimit të punës si pasojë e pandemisë së koronavirusit.

Me vendosjen e masave të reja të sigurisë dhe kujdesit të shtuar të udhëheqësve të kinemasë, vizitorët tashmë kanë filluar t’i kthehen normalitetit. Sipas Dëfrim Pukës, menaxher në Cineplexx Kosova, ata janë të kënaqur me respektimin e masave dhe rregullave të reja të sjelljes në kinema, nga vizitorët e tyre. Tutje ai zbuloi se Cineplexxin e kanë vizituar afërsisht 1 mijë persona në ditë, të cilët biletat për t’i shikuar filmat e tyre të preferuar tashmë e tutje kanë mundësi t’i blejnë edhe online.

Filmi më i shikuar deri më tani në këtë kinema është projekti i fundit i regjisorit Christopher Nolan, “Tenet”, i cili deri më tani ka arritur t’i shesë mbi 3 mijë bileta.

Puka, po ashtu, ka bërë të ditur se më datë 29 të këtij muaji, në “Cineplexx” vjen filmi i Visar Morinës, “Exile”. Kështu publiku kosovar do të ketë mundësi ta shohë në ekran ta madh projektin e shumëshpërblyer nëpër festival dhe njëherësh filmi i propozuar nga Kosova për ceremoninë “Oscar”.

Tutje kinemaja e vazhdon traditën e organizimit të eventeve. Më 22 tetor shënohet ngjarja “Ladies Night” me rastin e premierës së filmit, “Misbehaviour”, ku luajnë aktorë të njohur si: Keira Knightley, Greg Kinnear, Gugu Mbatha-Raw dhe të tjerë.