NËPËR FILM

“Illyricvm”, filmi i parë artistik i aktorit Labeat Bytyçi

Pas premierës në “Cineplexx”, filmi “Illyricvm” po e vazhdon rrugëtimin nëpër kinema. Një prej protagonistëve të këtij projekti, Labeat Bytyçi, ishte i ftuar në “Nëpër Film”, me ç’rast tregoi gjithçka rreth eksperiencës së tij gjatë kohës së xhirimeve të filmit, rrugëtimit në festivale të ndryshme dhe pritjes së tij nëpër kinema.

“Illyricvm” personifikon ilirët dhe kthehet pas dy mijë e kusur vjetësh, kur shumë principata ilire në atë kohë kanë qenë nën pushtimin ose sundimin romak.

Krahas Bytyçit, ndër aktorët tjerë kosovarë pjesë e këtij projekti janë: Ylber Bardhi në rolin e Darmokus si një nga personazhet kryesore, Ilir Prapashtica, Dukagjin Podrimaj, Ali Demi, Kushtrim Hoxha, Armend Smajli, Lulzim Bucolli, Bujar Ahmeti, Rina Krasniqi, Isa Zenuni, Selman Lokaj dhe Gani Morina.

Filmi i metrazhit të gjatë, skenarin e të cilit e ka shkruar vetë regjisori kroat, Simon Bogojeviq Narath, bashkë me Sasha Podgorelec, është bashkëprodhim midis Kroacisë, Sllovenisë, Italisë, Kosovës dhe Bosnjës.