NËPËR FILM

Filmi “War, games and videorecordings” fiton mbështetje nga QKK-ja

I ftuar në edicionin e radhës së emisionit “Nëpër Film” ishte regjisori, Birol Urcan, i cili ndau më shumë hollësi rreth projektit të tij të ardhshëm filmik.

Me titull “War, games and videorecordings”, ky do të jetë filmi i parë i metrazhit të gjatë për regjisorin tashmë të njohur kosovar, i cili së fundmi edhe fitoi mbështetje financiare nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

“Lajmin e pritëm me gëzim të madh. Pak po hezitoja për arsye se, pavarësisht faktit që skenari dhe platforma regjisoriale ishin të mira dhe të gjitha përgatitjet i kishim bërë tashmë, prisnim të kishte konkurrencë edhe më të madhe. Mendonim se ndoshta do të konkurronin filmbërësit e mëdhenj të vendit, si Samir Karahoda, Blerta Basholli dhe të tjerë, të cilët tashmë edhe kanë krijuar eksperiencë të madhe të punës dhe po bashkëpunojnë edhe me producentë e skenaristë të huaj. Por, megjithatë konkurrenca ishte e madhe dhe ne u gëzuam shumë që fituam mbështetje nga Qendra Kinematografike e Kosovës”.

Tutje, Biroli tha se është entuziast dhe po i pret me padurim aktivitetet konkrete të cilat do t’i fillojnë së shpejti, ani pse me kohë e ka kapluar edhe një ndjenjë e përgjegjësisë.

Ndër të tjera, Urcan foli edhe për temën të cilën do ta trajtojë ky film.

“Storja natyrisht se është fiktive por fatkeqësisht rrethanat në të cilat zhvillohet storja, prej qasjes së një pjese të mediave e deri tek motivi i këtyre të rinjve për të bërë diçka të tillë janë shumë reale. Do të thotë, gjithçka çfarë do të ndodhë në film apo që zhvillohet në skenarin e Dhuratës, fare lehtë do të mund të ndodhte edhe në jetën reale, jo vetëm në Kosovë por në cilindo vend të Ballkanit Perëndimorë”.

Duke qenë se në rolet protagoniste do të jenë kryesisht aktorë të moshave të reja, regjisori tha se nuk brengoset për procesin e audicioneve sepse beson që në Kosovë cilësia e aktrimit është mjaft e lartë.
 

“Në këtë aspekt nuk frikësohem fare sepse në Kosovë ka cilësi të mirë të aktorëve. Jo që ne regjisorët jemi të dobët apo diçka e tillë, por aktrimi në vendin tonë ndoshta edhe falë kontributit të profesorëve që e kanë themeluar këtë degë, si Enver Petrovci, Faruk Begolli dhe të tjerë, aktrimi në Kosovë me të vërtetë është i cilësisë së lartë”.

Por, kur do të fillojnë xhirimet e filmit dhe kur pritet të finalizohet ai?

“Xhirimet po planifikojmë t’i përfundojmë në prill ose maj të vitit të ardhshëm, ndërsa filmin ta përmbyllim diku në gusht apo shtator të vitit 2023”, deklaroi Urcan.

“War, games and videorecordings” vjen me regji të Birol Urcan, skenar të shkruar nga Dhurata Hoti ndërsa producent dhe drejtor artistik i filmit është, Petrit Ukëhajdaraj.