Filmi i ri i regjisorit kosovar Fisnik Maxville, “Toka brenda meje”, do ta shënojë premierën ndërkombëtare në festivalin “Tallin Black Nights” në Estoni. Producenti i këtij projekti, Valon Bajgora, ishte i ftuar në studion e emisionit “Nëpër Film” ku ndër të tjera zbuloi hollësi rreth rrugëtimit të filmit tutje.
“Toka brenda meje” e rrëfen historinë e mërgimtarit, Remo, i cili pas disa vjetësh kthehet nga Gjeneva në vendlindjen e tij, Kosovë. Dashuria e tij e parë, Una, e thërret për ta informuar për vdekjen e afërt të patriarkut të familjes dhe zhvarrosjen e një varri masiv. Duke u kthyer në fshatin e tij pas një mungese dhjetë vjeçare, Remo, përballet me të kaluarën dhe të tashmen e tij.
Në rolet kryesore të këtij projekti vijnë aktorët: Florist Bajgora, Luana Bajrami, Armend Smajli, Luan Jaha, Arta Muqaj, Irena Cahani, Kumrije Hoxha, Melihate Qena dhe Çun Lajçi.
“Tallin Black Nights” është një prej festivaleve më të mëdha të filmit në Evropën Veriore, njëherësh edhe festival i kategorisë “A”, i cili do të mbahet nga 11 deri më 27 nëntor 2022.