Prodhimet kinematografike të Kosovës po vazhdojnë të zbarkojnë në kinematë vendore, duke ua mundësuar adhuruesve të filmit që më në fund t’i shikojnë ata.
I radhës është filmi i regjisores Norika Sefa, “Në kërkim të Venerës”, i cili tashmë është bërë pjesë e repertorit të rregullt të kinemasë “Cineplexx Kosova”.
“Jam shumë e lumtur që u shfaq më në fund dhe prej sot e tutje kanë me pas mundësi edhe publiku i gjerë me e pa filmin, ‘Në kërkim të Venerës’. kanë kaluar pothuajse një vit prej se e kemi shënuar premierën botërore dhe jam e lumtur që më në fund erdhi edhe në vendin tonë. Mund ta bëjë një krahasim, ani pse nuk kam qenë në shumë premiera të filmit dhe nuk e di saktë se si e kanë pritur publiku rajonal ose ndërkombëtar. Por, prapë ti ki nevojë që atë ta shohin njerëzit e vendit tënd sepse kritikat vijnë nga persona që ti i njeh dhe kështu janë më të sinqerta. Filmi ynë flet për ngjarje të cilat ndodhin në Kosovë prandaj për mua personalisht është shumë më e rëndësishme t’i dëgjoj këto kritika që do t’i japin të tjerët”, tha Kosovare Krasniqi.
“Për ne është gjithmonë emocion i veçantë kur filmin e sheh audienca jonë, është kënaqësi kur dëgjon se njerëzit po flasin mirë për të, por mbi të gjitha është kënaqësi edhe kur i marrim kritikat sepse na ndihmojnë të përmirësohemi për filmat e ardhshëm”, deklaroi Lushtaku.
“Është me të vërtetë një ngjarje shumë aktuale dhe mendoj se shumë njerëz të moshave të ndryshme kanë nevojë të vijnë ta shohin filmin. Ky është një projekt i tillë që kur e sheh, kërkon pak kohë të mendosh, të reflektosh për të dhe pastaj definitivisht ta diskutosh me dikë. Po shpresoj që do të përçohet mesazhi i filmit dhe jam shumë e lumtur nëse arrin të nxisë debate të cilat veçse është menduar t’i nxisë në publik. Kjo gjë do të na ndihmonte shumë”, shtoi tutje Rozafa.
Ndërsa producenti i filmit, Besnik Krapi tha: “Ju na kemi përcjell në gjithë rrugëtimin e filmit dhe e dini se ai ka ecur shumë mirë nëpër festivale, por sot ndjenja është më ndryshe. Publiku yt din të të thotë: ‘Ky nuk jam unë apo po, jam duke e gjetur veten në film’. Prandaj për ne ka qenë një ndjenjë shumë e veçantë dhe thjeshtë shpresoj që do të shikohet nga sa ma shumë njerëz, sepse është një film goxha interesant”.
Në një familje tradicionale shqiptare duket mision i zorshëm arritja e pavarësisë. Përplasjet midis gjeneratave janë të pashmangshme. Kështu regjisorja nëpërmjet filmit të saj “Në kërkim të Venerës”, vë në pikëpyetje sesi është të rritesh në një shtëpi ku jetojnë tri gjenerata, e që për shumë kultura tingëllon si diçka e pamundur. Sidoqoftë, nga kritikët ky film i metrazhit të gjatë shihet si rrëfim universal. Një reflektim se çfarë do të thotë adoleshenca, një përmbledhje e kërkimit drejt individualitetit.
Në premierën speciale për media të filmit, aktorët protagonistë treguan për eksperiencën e tyre në këtë projekt.
“Ka qenë shumë e vështirë në fakt, më ka sfiduar shumë ky rol sepse duhej ta portretizoja një vajzë më të re sesa unë, që atë kohë isha 24-vjeçare por më duhej ta luaja rolin e një 17-vjeçareje. Për mua në atë kohë e kisha të vështirë të kthehesha prapa në moshë apo në atë gjendje, dhe normal disa eksperienca të jetës nuk është e lehtë t'i fusësh në film. Por, mendoj se me Norikën kemi arritur ta bëjmë një punë shumë të mirë. Edhe me Kosovaren normal ishte hera e parë që po punoja me të. Unë kisha pak më shumë eksperiencë në filma dhe ajo më besonte shumë. Por rëndësi ka që kemi kaluar me të vërtetë shumë mirë, ajo ishte shumë e pjekur si person dhe shumë e zonja në punë dhe nuk e vëreja që ky ishte vetëm filmi i saj i parë. Në përgjithësi i gjithë procesi ka shkuar mbarë”, tha Çelaj.
“Realisht, si aktor çdo personazh kur e përgatit është vështirë dhe një angazhim shumë i madh. Unë kam qëndruar 27 ditë në sheshin e xhirimeve edhe pse nuk kisha xhirime kohë pas kohë. Megjithatë, duke i parë shoqëritë tona patriarkale dhe duke jetuar në fshat, pasi edhe unë vij nga fshati, pak e shumë kam parë karaktere të ngjashme me burrin që e personifikoj në film, dhe kështu merr pak nga çdo eksperiencë e jetës reale dhe mundohesh ta përgatisësh dhe realizosh rolin tënd sa më mirë të jetë e mundur. Normal që është një punë e vështirë por ky është një profesion të cilin ose e dashuron ose jo, dhe prandaj mund të them që secilin rol gjatë karrierës sime e kam realizuar me shumë dashamirësi dhe dashuri të madhe”, deklaroi aktori Basri Lushtaku.
“Loja e aktorëve të tjerë, si Rozafa, Erjona, Basriu dhe Tristani, më ka ndihmuar shumë për shkak se kanë qenë aktorë me eksperiencë dhe kanë mundur të më mësojnë edhe mua në mënyra të ndryshme për profesionin tim, të cilin e kam filluar pikërisht me këtë film. Ka qenë një eksperiencë shumë e mirë dhe jam tejet falënderuese ndaj gjithë aktorëve dhe ekipit të filmit, që e kanë ndarë kohën e tyre për të më këshilluar në gjëra të vogla apo të mëdha që kanë ndodhur gjatë xhirimit”, shtoi në fund Krasniqi.
Gjatë vitit 2021, “Në kërkim të Venerës” bëri histori duke u bërë projekti i parë nga Kosova që u përfshi në garën zyrtare të Festivalit të njohur të filmit në Rotterdam të Holandës. Suksesin e vulosi duke u bërë po ashtu filmi i parë kosovar i shpërblyer në këtë ngjarje, me çmimin special të jurisë për arritje të jashtëzakonshme artistike në kategorinë “Tiger Competition”.
kur një film e ka rrugëtimin e mirë është kënaqësi për çdo person, jo vetëm për ekipin e filmit por edhe për publikun apo të gjithë personat që e duan filmin, si dhe për gjithë Kosovën. Është kënaqësi e veçantë kur e sheh që një film po ka rrugëtim të mirë, por fiton shpërblime ndërkombëtare nëpër festivale prestigjioze siç është ai i Rotterdamit ku edhe e shënuam premierën botërore të filmit. Atje e kemi marrë një prej çmimeve kryesore atë të jurisë dhe është vërtetë një kënaqësi e madhe dhe e veçantë”, tha Basria i cili në film e portretizon babanë e kryepersonazhit, Venera.
“E vetmja gjë e keqe është se nuk kemi pasur rastin të jemi të gjithë bashkë në premierën botërore të filmit në Rotterdam për shkak të pandemisë, dhe kjo na ka limituar pak që të mos takoheshim dhe ta shijonim premierën siç duhet. Mund të them se kjo më ka mbetur pak peng për ta përjetuar edhe më mirë filmin”, përfundoi Rozafa.
Regjisorja Norika Sefa pa dyshim që është pjesë e regjisorëve që po lënë shenja me atë që po konsiderohet si vala e re e kineastëve.
Për fund, producenti Besnik Krapi tregoi se filmin planifikojnë ta shfaqin edhe në qytete tjera të Kosovës dhe Shqipërisë.
“Filmi ‘Në kërkim të Venerës’ do të shfaqet edhe në Prizren, vazhdon në Gjakove, jemi të interesuar ta dërgojnë nëpër gjithë Kosovën dhe shumë shpejtë edhe në Shqipëri. Jemi duke punuar në këtë drejtim që filmi të mund të shikohet nga sa më shumë njerëz”.
Premiera kombëtare e “Në kërkim të Venerës” u dha në gusht, në kuadër të “PriFilm Fest”. Filmi po ashtu gjatë kësaj periudhe u nderua edhe me çmime. Mori dy çmime në Festivalin Ndërkombëtar të Hong-Kongut, për “Regjinë më të mirë” e për “Aktoren më të mirë”. Krasniqi rrëmbeu çmimin e “Aktores më të mirë” edhe në edicionin e 36-të të Festivalit prestigjioz të Filmit në Valencia. E në gusht të 2021-s, në edicionin e 27-të të Festivalit të Filmit në Sarajevë fitoi çmimin “Përmendje speciale për barazi gjinore”.