NËPËR FILM

Filmi “Luaneshat e Kodrës” po shfaqet në kinematë “Cineplexx”

Filmi i metrazhit të gjatë, “Luaneshat e Kodrës”, bashkëprodhim mes Kosovës dhe Francës, tashmë ka ateruar në vendin tonë. Nga e enjtja (12 maj), projekti i regjisores Luana Bajrami ka filluar të shfaqet në kinematë “Cineplexx”.

Me këtë rast, emisioni i kësaj jave “Nëpër Film” iu kushtua në tërësi filmit dhe “luaneshave” të tij. Të ftuara në studio ishin regjisorja dhe aktorja, Luana Bajrami, dhe tri protagonistet: Flaka Latifi, Era Balaj dhe Uratë Shabani.

“Ka qenë objektivi i parë me e shfaq filmin në Kosovë sepse është me rëndësi për ne ta shohim se çfarë reagime do të ketë publiku këtu dhe çfarë ndjenje e jep projekti, pikërisht në vendin ku është xhiruar”, deklaroi regjisorja.

Era pajtohet se me shfaqjen e filmit para publikut kosovar, emocionet janë më të forta për aktoret.

“I kemi rritur pritshmëritë për filmin për shkak të rrugëtimit të suksesshëm që e kishte nëpër festivale, dhe për këtë arsye emocionet tona ishin edhe më të forta. Sepse donim ta shohim nëse do t’i arrinte pritshmëritë dhe standardet e paracaktuara nga publiku. Në fund, duartrokitjet e tyre kanë qenë një lloj vërtetimi që e kemi arritur synimin tonë. E kjo na ka dhuruar të gjitha neve emocione dhe një ndjenjë të papërshkrueshme”.

Ndërsa, aktorja Flaka Latifi e zbuloi një dëshirë që e kishte nga fillimi i xhirimeve të filmit “Luaneshat e Kodrës”.

“Gjatë xhirimeve të filmit e kisha një dëshirë të cilën nuk ja kam treguar askujt, por dua ta zbuloj tani. Kam shpresuar shumë, kam besuar dhe kam dashur që rrugëtimi i filmit të jetë argëtues ashtu siç jam argëtuar unë gjatë xhirimeve, me eksperiencën e bukur që e kam pasur me këtë projekt. Por, në fakt nuk e prisja që ky rrugëtim të jetë kaq i madh dhe kaq i mirë, duke e shënuar premierën e filmit në festivalin e Kanës, duke fituar çmime të njëpasnjëshme, si në Sarajevë dhe në ‘PriFest’”.

Rrugëtimi i këtij projekti kinematografik ishte vërtetë i suksesshëm. Ai e shënoi premierën botërore në festivalin prestigjioz të Kanës, jashtë programit konkurrues, për të vazhduar tutje me festivale tjera kombëtare e ndërkombëtare ku edhe i rrëmbeu disa trofe.

“Nuk kemi pasur mundësi të jemi të gjitha në Festivalin e Sarajevës sepse ashtu u bënë punët, por kam shkuar e vetme për 24 orë. Por marrë parasysh si shkuam atje, me shumë mundime dhe sfida, ishte interesant që me pjesëmarrjen tonë të parë ne goditëm në zemër të Sarajevës. E kjo më duket një gjë dhe përvojë shumë e bukur”, deklaroi Urata.

Regjisorja tregoi se pse mendon që është e rëndësishme shfaqja e filmit, “Luaneshat e Kodrës”, nëpër shtete të ndryshme të botës.

“Kemi punuar të gjithë bashkë dhe jam shumë e kënaqur që secili prej ekipit e ka marrë nga një çmim, regjia, skenari, aktorët. Kjo për ne është një krenari shumë e madhe, plus shfaqja nëpër festivale të ndryshme të botës ia mundëson filmit që të shikohet nga më shumë njerëz ndërkombëtarisht, sepse merr vëmendje”.

Për fund, Flaka e përshkroi bashkëpunimin me Luana Bajramin si një prej eksperiencave më të veçanta për të, si një aktore e cila është ende në fillimet e karrierës.

“Nganjëherë ke nevojë për diçka më shumë dhe marrë parasysh se Luana ka përvojë edhe si aktore, e ka ditë saktësisht se çka të kërkojë nga ne, si të qaset me ne, na ka lënë hapësirë për të diskutuar me të për gjithçka. Që të tria e kemi pasur këtë liri me regjisoren. Jam e lumtur që kam punuar me Luanën dhe që e kemi pasur këtë raport kaq të mirë nga fillimi, nga koha e audicioneve. Gjithashtu mendoj se si filmi i parë që është për neve, nuk besoj se do ta kishim një fillim kaq të mbarë me ndonjë projekt apo regjisorë tjetër”.

Filmi e rrëfen historinë e tri shoqeve të cilat jetojnë në një fshat të vogël në Kosovë, por e shohin se si ëndrrat dhe ambiciet e tyre po u mbyten. Mirëpo kërkimin e tyre për pavarësi asgjë nuk mund ndalojë.

“Luaneshat e Kodrës” tashmë është në repertor të rregullt të kinemave “Cineplexx”.