NËPËR FILM

Filmi i shumëshpërblyer “Pa vend” e vazhdon rrugëtimin nëpër festivale

I ftuar këtë javë në emisionin “Nëpër Film” ishte regjisori, Samir Karahoda. Me të u diskutua për sukseset e fundit të filmit të metrazhit të shkurtër, “Pa vend”, i cili ende po e vazhdon rrugëtimin nëpër festivale të njohura të botës.

“Fatmirësisht viti 2022 filloi me dy çmime për filmin tonë, i pari ishte në Trieste të Italisë, dhe ai më i rëndësishmi ndoshta nga të gjitha çmimet që i kemi pranuar deri më tani, pra ai në Festivalin ndërkombëtar të filmit ‘Sundance’ ku u vlerësuam si filmi më i mirë i shkurtër dokumentar. Normal që është nderë i madh, si për mua ashtu edhe për ekipin dhe gjithë të tjerët që kanë qenë pjesë e këtij filmi, që të vlerësohemi nga një festival që shquhet si ndër më të mëdhenjtë në Amerikë dhe një prej festivaleve më të mira dhe më të rëndësishme në botë. Gjithashtu vlen të përmendet që nga këto festivale, ne kemi konkurruar në tre prej tyre ku edhe kemi triumfuar me çmime, pra në festivalin e Kanës si filmi më i mirë evropian, në festivalin e Torontos si filmi më i mirë i shkurtër dhe në ‘Sundance’ po ashtu si filmi më i mirë i metrazhit të shkurtë”.

Duke qenë se “Pa vend” arriti suksese të jashtëzakonshme në pothuajse secilin festival ku mori pjesë, regjisori thotë se ai tashmë e ka realizuar ëndrrën e tij dhe po planifikon që me projektin e radhës, ta sfidojë veten pak më shumë.

“Me filmat e shkurtër unë i kam arritur të gjitha ato që shumë regjisorë i ëndërrojnë, madje as ëndrra ime nuk ka qenë kaq e madhe por gjërat ndodhën si ndodhën dhe tani po mendoj të bëjë diçka pak më të madhe, që mundet edhe të më sfidojë pak më shumë. Prandaj, besoj se projekti im i radhës do të jetë një film i metrazhit të gjatë të cilin ende nuk e kam të konkretizuar, por ajo që ka rëndësi është se e di saktësisht se çfarë teme do të trajtojë ai”.

Karahoda, po ashtu zbuloi hollësi për filmin e tij të parë të metrazhit të gjatë.

“Tema të cilën filmi im i ardhshëm e trajton flet për jetën e sotme, fokusohet në një familje në Kosovë, ballafaqimet e tyre dhe sigurisht problemet shoqërore me të cilat përballemi çdo ditë. Me këtë projekt po synoj ta tregoj realitetin tonë në formë të filmit dhe artit”.

Regjisori ndër të tjera deklaroi se triumfet e filmave kosovarë këto vjetet e fundit, mund të ndikojnë në mënyrë pozitive tek rinia por për këtë, nevojitet edhe një mbështetje më serioze institucionale.

“Shumë shpesh e dëgjoj një fjali nga të rinjtë në Kosovë të cilët thonë se ‘këtu nuk ka asgjë dhe nuk mund të bëhet asgjë’. Qoftë edhe nga djali im i cili është vetëm 11-vjeçar, edhe ai e ka bindjen se në vendin tonë është vështirë të arrihet sukses. Por, arritjet e fundit me filmin, qoftë rasti jonë apo i kolegeve tona si, Blerta, Kaltrina e Norika, e vërtetojnë më së miri se pikërisht në Kosovë janë tregimet që nuk i ka çdo vend i botës, dhe për këtë arsye duhet ta shfrytëzojmë këtë pasuri tregimesh. Prandaj, institucionet duhet ta shohin këtë si potencial të mirë që nëse investohet më shumë në sektorin e filmit, ndoshta vendin tonë do t’i ndërrohet imazhi në arenën ndërkombëtare dhe njëkohësisht edhe të rinjve do t’iu jepet një vullnet më i madh apo edhe t’iu ndryshohet qasja ndaj realitetit”.

“Pa vend” e vazhdon rrugëtimin tutje duke marrë pjesë në festivale të vendeve të ndryshme të botës, si Glasgow, Aspen, Dresden, Bruksel, Hong Kong dhe Izrael.