NËPËR FILM

Filmi i ri i Samir Karahodës prek temën e emigrimit

Regjisori dhe drejtori i njohur i fotografisë, Samir Karahoda, ishte mysafir në studion e emisionit “Nëpër Film” me ç’rast shpalosi detaje rreth filmit të tij të ri. Xhirimet e këtij projekti tashmë kanë përfunduar dhe tani është në fazën e postproduksionit. I bazuar në ngjarje reale, Karahoda bënë të ditur se filmi ndër të tjera prek edhe temën e emigrimit.

Karahoda – i njohur për filmat “Në mes” e “Pa Vend”, që çuan emrin e Kosovës në festivalet më prestigjioze botërore – ishte nisur me të birin për në Aeroport, për të tërhequr një dhuratë. Rrugës do të hapeshin jo pak tema. Këtu do të shkrepte ideja për filmin e radhës të tij. E këtë di ta bëjë vetëm një regjisor i kalibrit të tij.

“Arsyeja numër një që kam filluar të bëj filma është t’i trajtoj padrejtësitë që na bëhen në këtë shoqëri, pasi që mendoj se ne nuk jemi të vetëdijshëm për to. Përmes këtij filmi do të ngacmohen disa tema, të cilat do të nxisin njerëzit të mendojnë më shumë”, ka thënë Karahoda

Filmi, i cili tashmë gjendet në fazën e postproduksionit, për regjisorin do të jetësohet si një portret i Kosovës aktuale.