NËPËR FILM

Filmat e shkurtër nga studentët e “Neo_School” vijnë në “Kino Armata”

Alush Gashi ishte i ftuari i radhës në emisionin “Nëpër Film”. Në këtë intervistë ai foli për filmat e shkurtër dokumentar të studentëve të shkollës joformale, “Neo_School”, të cilët tashmë kanë filluar të shfaqen në “Kino Armata”.

“Për shkak se fatkeqësisht filmat e shkurtër që prodhohen në Kosovë por edhe në përgjithësi nuk kanë janë shumë të ekspozuar, posaçërisht nëpër kinema të ndryshme, ndoshta online pak më tepër, ne pasi që e kemi këtë mundësi po i shfaqim këta filma gjatë katër muajve në vijim”

Megjithëse nuk kishte kritere të caktuara apo kufizime për të aplikuar, në modulin e dytë të “Neo_School” morën pjesë gjithsej gjashtë kandidatë, të gjitha të gjinisë femërore.

“Ka qenë rastësi e mirë që të gjashtë kandidatet e këtij moduli të ‘Neo_School’ kanë qenë femra. Kjo më duket është reflektim i asaj që punët e tyre, pavarësisht gjinisë, po respektohen posaçërisht me sukseset e mëdha të cilat kinematografia jonë dhe regjisoret kosovare po i shënojnë anembanë globit, me pjesëmarrje në festivale të mëdha dhe me fitimin e shpërblimeve të shumta”, deklaroi Gashi.

Tutje, drejtori i “Kino Armata” tregoi se cili ka qenë qëllimi kryesor i studenteve, me filmat që i kanë realizuar në kuadër të kësaj shkolle joformale.

“Është interesante dhe emocionuese edhe për studentet me i shfaq filmat në ekran të madh dhe para një publiku. Qëllimi i punës së tyre është jo vetëm të shikohen filmat e tyre por edhe të tërheqin vëmendje mbi atë se çka bëhet në Kosovë dhe çfarë prodhohet tek ne”.

Pjesëmarrësit e “Neo_School” kanë mundësi të mësojnë për prodhimin e filmave të shkurtër dokumentarë. Qëllimi i organizimit të kësaj shkolle joformale është të krijohet një eksperiencë emocionale që e rrit dashurinë për një lëmë ose pasionin për të mësuar.

“Modulet e ‘Neo_School’ në përgjithësi të filmit por edhe modulet tjera, janë të konceptuara në atë mënyrë që t’i japin të rinjve mundësi për t’u shprehur përmes filmit apo ndonjë mediumi tjetër, dhe pastaj ta shohin nëse këto njohuri munden me i përdorë në punë, duan të bëhen filmbërës në kuptimin profesional apo në anën tjetër ta përdorin filmin si medium për ta zhvilluar karrierën e tyre, qoftë edhe në ndonjë profesion tjetër”.

Në fund, Gashi foli për rëndësinë e distribuimit të këtyre filmave, nëpër festivale të ndryshme në vend dhe botë.

“Ne i inkurajojmë dhe njëra prej ligjëratave gjatë muajit shtator ka qenë pikërisht për distribuimin e filmit, që është gjithashtu shumë i rëndësishëm sepse filmat e shkurtër nuk shikohen shumë nga publiku në vend apo më gjerë. Mundësia është e madhe sidomos për filmat studentorë, që të marrin pjesë në festivale të shumta nëpër botë, e pese jo edhe në festivale më serioze”, përfundoi Gashi.

Nga 31 maji e deri më 4 korrik të vitit 2021, gjashtë kandidatet e zgjedhura patën mundësi të dëgjojnë ligjërata mbi aspektet e ndryshme të procesit të filmbërjes së dokumentarëve, nga liderët në fushat e filmit dhe hulumtimit.