NËPËR FILM

“Exil”, rrëfimi nga Kosova, triumfoi në festivalin e Sarajevës

Filmi i regjisorit kosovar, Visar Morina, rrugëtimin e filloi me premierën botërore në festivalin e filmit “Sundance”, për të vazhduar tutje me një prej ngjarjeve më të mëdha kinematografike evropiane, që është “Berlinalja”.

Nga momenti i parë u kuptua se “Exil” është një projekt i veçantë dhe regjisori ka bërë një punë të mrekullueshme për ta sjellë në jetë tregimin e kryepersonazhit, Xhaferi, një emigrant kosovar nëpërmjet të cilit zbërthehet beteja për identitet.

Por pandemia e koronavirusit e ngadalësoi hapin e këtij projekti kinematografik, duke e vështirësuar pjesëmarrjen e tij nëpër festivale të shumta, të cilat ishin pezulluar përkohësisht. Nuk shkoi shumë dhe “Exili” iu rikthye rrugëtimit të tij, duke u prezantuar në festivale online, ku edhe shënoi suksese të jashtëzakonshme.

I fundit ishte triumfi në Festivalin e Filmit në Sarajevë, ku filmi i Morinës e mori çmimin kryesor, atë “Zemra e Sarajevës”, dhe duke u bërë projekti i parë kosovar që e fiton këtë shpërblim.

Në një deklaratë të lëshuar online, regjisori kosovar ka treguar për ndjesinë që ia ka dhënë pranimi i këtij çmimi.

“Jam shumë i gëzuar me çmimin, faleminderit! E kisha një vit shumë të ngarkuar në realizimin e këtij filmi dhe ndonjëherë ndihesha më i humbur se vetë karakteri i tij, e ky çmim më ndihmon shumë. Faleminderit jurisë dhe festivalit!”, kishte përfunduar ai.

Ndërkaq drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Arben Zharku, këtë fitore e ka përshkruar si moment kulmor për kinematografinë kosovare.

Në edicionin e 26-të të Festivalit të Filmit në Sarajevë u prezantuan gjithsej katër filma kosovarë: “Exil”, “Galaktika e Andromedës”, që është filmi debutues i regjisores More Raça në metrazh të gjatë dhe i cili e shënoi premierën botërore në këtë ngjarje, “Zana” i Antoneta Kastratit dhe “Vera andrron detin”, film ky i regjisores Kaltrina Krasniqi.