Akademisë Evropiane të Filmit i janë shtuar edhe pesë anëtarë të rinj nga Kosova, duke e quar numrin e tyre në gjithsej 23 filmbërës që tashmë janë pjesë e kësaj Akademie. Në mesin e tyre është edhe aktori dhe producenti i mirënjohur kosovar, Eshref Durmishi, i cili ishte i ftuar këtë javë në emisionin “Nëpër Film”.
“Personalisht për mua është një lajm i mirë sepse është një arritje me qenë anëtar i Akademisë Evropiane të Filmit, dhe njëkohësisht është një privilegj dhe kënaqësi. Për filmin dhe kinematografinë e Kosovës ka rendësi të veçantë sepse, tani me këta pesë anëtarët e rinj bëhemi gjithsej 23 anëtarë aktiv nga Kosova, që janë pjesë e Akademisë Evropian të filmit. Kështu, ne tani kemi mundësi të propozojmë filma prej Kosovës me qenë të nominuar në kategori të ndryshme të ceremonisë evropiane të filmit, që mbahet çdo vit nëpër qytetet të ndryshme. Po ashtu kemi të drejtë të votës, prandaj kjo i rritë gjasat tona për të qenë më të fuqishëm në tregun evropian”.
Tutje Durmishi tregoi për procesin e përzgjedhjes për t’u bërë pjesë e Akademisë Evropiane të Filmit.
“Për t’u bërë pjesë e kësaj Akademie fillimisht duhet të kesh kredite, çka do të thotë se si aktor, producent apo regjisor, ti duhet të kesh të realizuar filma të gjatë. Pra ekzistojnë disa kritere të cilat duhet të plotësohen. Pastaj janë disa anëtarë nga Kosova që kanë mundësi të të propozojnë, ose në të këtë rast Qendra Kinematografike e Kosovës mund t’i propozoj anëtarët e rinj. Më pas Akademia i verifikon këta emra për të vlerësuar se kush i plotëson kriteret e duhura për t’u bërë anëtarë të saj”.
Megjithëse jemi mësuar të bëjmë krahasime me Hollywoodin kur bëhet fjalë për kualitetin e filmave që prodhohen për tregun botëror, vjetëve të fundit kinematografia evropiane është rritur për nga niveli i projekteve të realizuara. Durmishi në fakt i konsideron filmat nga Evropa, si mjaft artistik.
“Filmat evropianë janë shumë artistik. Ndoshta nuk janë ‘blockbuster’ siç janë filmat në Hollywood dhe Amerikë, por ka pasur projekte nga shtete të tilla si Franca dhe Spanja, që së fundmi kanë qëndruar shumë lartë për nga kualiteti i filmave dhe serialeve që i kanë prodhuar. Prandaj, po, do të thosha se është një rritje e mirë e tregut evropian të filmit, dhe në këtë rast fatmirësisht është edhe kinematografia e Kosovës e cila po rritet dhe po pasurohet çdo ditë e më shumë dhe kjo na bënë edhe më të lumtur”.
Anëtarët e tjerë kosovarë që janë bërë pjesë e kësaj Akademie janë regjisoret: Antoneta Kastrati, Blerta Basholli, Norika Sefa dhe More Raça.
Akademia Evropiane e Filmit është themeluar në vitin 1989 me drejtorin e parë Ingmar Bergman bashkë me anëtarët tjerë themelues, si Pedro Almodovar, Lindsay Anderson, Bernardo Bertolucci, Sir Ben Kingsley, Andrzej Wajda, Wim Wenders dhe të tjerë.