Festivali ndërkombëtarë i filmit dokumentar dhe të shkurtër, “DokuFest” sivjet e shënon edicionin e 20-të. Me një program të pasur filmash e aktivitete të shumta kulturore e argëtuese, shënohet edicioni jubilar i kësaj ngjarjeje që mbahet në Prizren, nga 6 deri më 14 gusht.
Më shumë hollësi i ndau producentja e festivalit, Alba Cakalli, e cila këtë javë ishte e ftuar në emisionin “Nëpër Film” dhe ku ndër të tjera tregoi edhe për fushatën e “DokuFestit” të sivjetmë.
“E kemi përzgjedhë fushatën e përbërë nga tri fjalë, që janë: Re-Set, Re-Mix dhe Re-Act. Ajo që kemi dashur ta përçojmë përmes kësaj fushate është që përmes programit të filmave dhe aktiviteteve tjera të festivalit, po mundohemi ta bartim mesazhin e riimagjinimit të njerëzimit, duke marrë diçka nga e kaluara dhe duke u munduar të ndërtojmë diçka të re për të ardhmen”.
Megjithëse pandemia e koronavirusit po vazhdon ende, organizatorët e festivalit po mundohen ta sjellin një edicion fizik sa më të mirë, të pasur me filma dhe aktivitete të ndryshme kulturore dhe argëtuese, që i sjellin atmosferë dhe energji qytetit të Prizrenit.
Në intervistën e saj për “Nëpër Film”, Cakalli e shfrytëzoi rastin t’i falënderojë veçanërisht vullnetarët të cilët çdo vit punojnë me shumë përkushtim dhe dashuri, për ta sjellë një festival sa më të mirë.
“Në fakt, vullnetarët janë shtylla kryesore e festivalit, pa të cilët nuk do të ishte e mundur të realizohej ‘DokuFesti’, as për këto 20 vjetët sa ekziston. Sepse e gjithë kjo ngjarje ka filluar si iniciativë vullnetare dhe ka vazhduar të zhvillohet me vite të tëra, dhe tani është krijuar në këtë festivalin që e njohim sot. prandaj kam dëshirë t'i falënderojë veçanërisht vullnetarët të cilët për 20 vjet kanë arritur ta bëjnë këtë festivali me namin që sot e gëzon nëpër botë”.
Edicioni i 20-të i “DokuFestit” fillon më 6 gusht dhe përmbyllet më datën 14 të këtij muaji.