NËPËR FILM

“Dita e parë e lypësit”, filmi i ri i shkurtër i Ben Apollonit

I ftuar në emisionin “Nëpër Film” ishte regjisori Ben Apolloni.

Në këtë intervistë, ai zbuloi hollësi rreth filmit të ri të shkurtër me titull, “Dita e parë e lypësit”, xhirimet e së cilit janë gati për të përfunduar.

“Filmi e trajton një temë sociale. Është historia e një burri gjatë një dite, një burrë i cili në pamundësi për të gjetur punë, megjithëse në fillim tregon se nuk ka lënë derë pa trokitur, përfundimisht vendos që të dalë dhe të bëhet lypës. Do të thotë është një histori e dhimbshme e një burri që ka provuar gjithçka, dhe vendos ta ulë edhe dinjitetin e tij deri në atë nivel sa të dalë dhe ta shtrijë dorën. Por, gjatë ditës ai përballet me disa probleme sepse është dita e tij e parë si lypës. Kështu ai e kupton se edhe kur je duke kërkuar lëmoshë duhet ta kesh një lloj përvoje për ta bërë këtë. Njësoj sikur në çdo punë tjetër”.

Apolloni tutje tha se kishte kohë të gjatë që i kishte lindur ideja për këtë film, por vetëm së fundmi kishte gjetur kohë të përkushtohej në realizimin e tij.

“Idenë për realizimin e këtij filmi e kam qe një kohë të gjatë, nga koha kur Ag Apolloni e botoi romanin ‘Ulërima e ujkut’, sepse ky personazh është pjesë e atij romani. Realizimin e tregimit në film e kemi biseduar disa herë, por vetëm kohëve të fundit gjetëm kohë të punojmë rreth skenarit, duke i bërë disa ndryshime të vogla, përfundimin e kemi bërë ndryshe, kemi punuar paksa me karakterin e lypësit dhe kështu me radhë”.

Regjisori po ashtu tregoi se tashmë ka filluar të angazhohet në realizimin e një filmi të metrazhit të gjatë, për të cilin po e ndihmon edhe vëllai i tij shkrimtarë, Ag Apolloni.

“Kam disa projekte, por më në fund jemi fokusuar tek njëri. Skenarin e filmit të gjatë po e shkruan vëllai im, Agu. Deri më tani i kemi bërë tri drafte të skenarit dhe po e bëjmë atë gati për të konkurruar në Qendrën Kinematografike të Kosovës dhe për fonde tjera, ku besojmë se do të aplikojmë. Është një skenar shumë interesant i bazuar në një nga romanet e Agut. I gjithë projekti është goxha i çmendur, besoj se do të jetë shumë provokues, tragjik, komik, pra një gërshetim interesant. Unë sa herë që po e lexoj skenarin po më bënë të qeshë dhe të qajë në të njëjtën kohë. Mendoj se Agu po e bënë një punë shumë të mirë me skenarin, dhe tani na ka mbetur ta përkthejmë atë dhe të fillojmë aplikimet për sigurimin e fondeve për realizimin e tij”.

Apolloni deklaroi se filmi i shkurtër, “Dita e parë e lypësit”, do të finalizohet në qershor të këtij viti, dhe tutje e pret një rrugëtim nëpër festivale në vend dhe botë.