NËPËR FILM

“Audicioni”, filmi i parë i regjisores Laura Buna

Laura Buna është regjisorja nga Shqipëria, e cila sapo e ka përfunduar filmin e parë të metrazhit të shkurtër me titull, “Audicioni”. Për emisionin “Nëpër Film”, ajo tregoi gjithçka sa i përket këtij projekti por edhe filmave tjetër në të cilët ka punuar ndër vite.

“Vështirësia e këtij projekti ka konsistuar më shumë sepse ka qenë një prodhim i pavarur dhe unë vendosa që ta prodhoj vet këtë film dhe jo të marr fonde publike, pikërisht për faktin që, para se t’i kërkoja paratë nga taksapaguesit, doja të isha e sigurt për atë që mund ta ofroja. Nga ana tjetër, puna ka qenë shumë argëtuese me aktorët dhe pjesëtarët e stafit, si nga Shqipëria ashtu edhe nga Kosova, sepse ky projekt është bashkëpunim i te dyja palëve”.

“Audicioni” është një dramë psikologjike dhe e rrëfen historinë e dy vajzave që janë shoqe me njëra-tjetrën por dhe kolege. Por një fjalë e thënë me intonacionin e gabuar, qon në zbulimin e një tensioni të fshehtë që ka qenë mes tyre për vite por nuk është komunikuar asnjëherë. Rolet kryesore i luajnë dy aktore të njohura kosovare, May-Linda Kosumovic dhe Molikë Maxhuni.

“Në produksion duhet të punohet gjithmonë me plan A dhe B, kjo është forma më e mirë e të punuarit. Por unë gjithmonë kisha në plan që në rolet protagoniste t’i angazhoja aktoret, Molikë dhe May-Linda, si dhe nuk doja njeri tjetër. Jam shumë e lumtur që i pata pjesë të filmit tim të parë sepse ato e mbajnë peshën kryesore të të gjithë konfliktit, dhe e kanë bërë një punë fantastike. Ndërkohë, kam edhe dy aktorë joprofesionitë nga Shqipëria, ata janë Zeni Alia dhe Korado Aliaj, të cilët i kisha në mendje ndërkohë që po i bëja gati audicionet”, tha Buna.

Megjithëse ky është filmi i saj i parë si regjisore, ndër vite, Laura ka punuar në projekte të shumta kinematografike përfshirë këtu edhe disa filma të suksesshëm kosovarë.

“Kanë qenë pikërisht këto projekte që më kanë lidhur me Kosovën, më kanë sjell këtu dhe pastaj ka vazhduar bashkëpunimi tutje. Disa nga filmat kosovarë në të cilët unë kam punuar dhe për të cilët jam shumë krenare janë, ‘Shpia e Agës’, ‘Zana’, ‘Në kërkim të Venerës’ dhe i fundit ishte filmi ‘Jericho Ridge’, që ishte një prodhim i huaj të cilin Besnik Krapi e solli për t’u xhiruar në Kosovë”, deklaroi regjisorja.

Në fund, Buna tregoi se çfarë vlerëson më së shumti te filmbërësit kosovarë.

“Jam shumë e lumtur që disa persona të tjerë na e kanë hapur rrugën dhe publiku mbarëbotëror ka filluar t’i drejtojë sytë nga filmat shqiptarë, e sidomos prodhimet e Kosovës. Një ndër gjërat që kam vërejtur duke pasur mundësinë të punoj në projekte të Kosovës dhe Shqipërisë, është se në Kosovë ekziston një etikë pune e cila duhet marrë si shembull. Një gjë tjetër që më ka bërë përshtypje është se këtu është ditur të investohet me talentin. Pra është ndjekur një strategji e cila tashmë duket se është frytdhënëse, sepse potenciali ekziston gjithmonë por duhet të dish si ta nxjerrësh atë. Dhe ajo që do të doja ta shikoja nga shqiptarët e Shqipërisë është që ta mësojnë pikërisht këtë gjë nga shqiptarët e Kosovës, dhe besoj se kjo do të ndodhë ndërkohë që vazhdojmë të bëjmë bashkëpunime edhe në të ardhmen”.

Puna rreth filmit “Audicioni” ka përfunduar dhe Buna tregoi se tashmë janë duke e hartuar planin e festivaleve ku duan të konkurrojnë për ta shfaqur atë.