NËPËR FILM

Alban Ukaj rikthehet në Festivalin e Kanës me filmin “Tori and Lokita”

“Tori and Lokita” është titulli i filmit të regjisorëve të famshëm belgë, Jean-Pierre dhe Luc Dardenne, i cili garon për “Palmën e Artë”. Aty luan edhe aktori kosovar, Alban Ukaj.

Kështu, me filmin e ri që është në konkurrencë zyrtare, Ukaj rikthehet në edicionin e 75-të në një prej ngjarjeve më prestigjioze të kinematografisë, e që këtë vit mbahet nga 17 deri më 28 maj.

“Verën e kaluar në të njëjtin qytet ku vëllezërit Dardenne i kanë realizuar pothuajse të gjithë filmat e tyre, e kemi xhiruar filmin ‘Tori et Lokita’ që sivjet për fat të mirë është në garën zyrtare të Festivalit të Kanës. Kanë kaluar 13 vjet dhe as ëndërr nuk e kisha parë që do të punoja edhe një herë me këta regjisor. Kur e kam marrë thirrjen, ndoshta mund të tingëllojë pak tendencioze, por e dimë që ai film i realizuar nga vëllezërit Dardenne gjithsesi do të jetë në festivalin prestigjioz të filmit në Kanë. Ata kanë shumë respekt dhe e duan këtë ngjarje kinematografike, si dhe e kanë me rëndësi që t’i prezantojnë projektet e tyre atje, por pavarësisht kësaj ne gëzohemi gjithmonë kur prezantohemi në festival, sikur të ishte hera e parë”, tha Ukaj në intervistë për KOHËN.

Filmi “Tori and Lokita” nxjerr në pah miqësinë që bashkon dy të rinj që kanë udhëtuar vetëm nga Afrika, dhe e gjejnë veten duke u përballur me kushtet mizore të mërgimit të tyre në Belgjikë. Është një rrëfim për emigrantët në Belgjikën moderne. Aktori i njohur kosovar e luan rolin e një kuzhinieri i cili i keqpërdor fëmijët me pretekstin se u ndihmon lidhur me letrat për azil, vetëm pse janë nevojtarë.

Kujtojmë që Ukaj ishte pjesë e Festivalit të Kanës edhe në vitin 2008, pikërisht me një projekt kinematografik të vëllezërve Dardenne, “Heshtja e Lornës”, ku luante edhe aktorja Arta Dobroshi.

Albani i cili jeton në Bosnjë dhe Hercegovinë, është rikthyer në Kosovë për xhirimet e projektit kinematografik “Era”, nën regji të Parta Kelmendit.

Tutje, aktori tregoi se si e sheh sot kinematografinë kosovare dhe sukseset që filmat tanë i kanë shënuar nëpër disa prej festivaleve më të njohura në botë.

“Ajo që ka ndodhur me Kosovë, janë shumë faktor këtu, popullata e Kosovës është shumë e re dhe është i vetmi vend në rajon që vazhdon të jetë ende i izoluar, pa pasur mundësi të aplikimit të shumë fondeve tjera, siç kanë për shembull Serbia, Bosnja, Maqedonia e Veriut dhe të tjerë. Dhe me ato fonde të pakta, me ato bashkëproduksione shumë të kufizuara të arrihet të krijohet një infrastrukturë e kinematografisë, për mua është magjepsëse. Unë besoj shumë në potencialin e regjisorëve dhe aktorëve kosovarë, por frikën më të madhe e kam që për shkaqe të vogla, të ndërpritet një punë që ka qenë si margaritarë për vendin tonë deri më tash”, përfundoi aktori.

Alban Ukaj i lindur më 1980 në Prishtinë, deri më tash ka qenë pjesë e shumë projekteve kinematografike e teatrore që kanë shënuar sukses në skenën ndërkombëtare.