E ftuara e radhës në emisionin “Nëpër Film” ishte aktorja e mirënjohur kosovare, Ilire Vinca.
Në këtë intervistë ajo foli për projektet e saja të reja filmike, sukseset e kinematografisë kosovare në vitet e fundit, gjeneratat e reja të aktorëve në vend dhe shumëçka tjetër.
“Disa prej filmave të mi të ri tashmë kanë filluar rrugëtimin nëpër festivale. Ende nuk i kam parë disa prej tyre sepse nuk kam pasur rastin të shkoj në premiera. Për shembull, kam pasur një rol të vogël tek filmi i Kaltrina Krasniqit, ‘Vera andrron detin’. Gjatë kohës kur ka qenë premiera e tij në Venecie, megjithëse isha e ftuar dhe kisha dëshirë të shkoja, nuk pata mundësi sepse në atë kohë isha e angazhuar me një projekt teatral në Itali. Më pas kam luajtur në një film të ri të quajtur ‘Shqiponja’ dhe në filmin e një regjisoreje të re, Aulona Selmani, e cila po e kryen një prej shkollave më të mira të filmit në Zvicër. Ky është një film i shkurtër me titull ‘Si në vaj’, ku regjisorja më ka ftuar të luajë dhe jam ndier shumë mirë për këtë, sepse ka qenë një ekip shumë i mirë që përbëhej nga të rinj. Po ashtu kam luajtur në një film tjetër të shkurtër të titulluar ‘Ka me kalu’, i cili është xhiruar në Bruksel gjatë kohës së pandemisë”, ka thënë ajo.
Me një karrierë disa dekadëshe në aktrim, Vinca vazhdon ta ushqejë dashurinë e saj për filmin dhe nuk heziton të pranojë role në projekte të ndryshme.
“Unë i ndjekë të gjitha audicionet. Kohëve të fundit, shumica e regjisorëve, marrë parasysh se unë tashmë e kam krijuar një përvojë 30-vjeçare në film, e kanë të lehtë të mos e bëjnë takimin me mua prej zeros. Njerëzit më ftojnë atëherë kur ju duhem dhe dinë saktësisht çfarë të presin nga unë”.
E pyetur se si e sheh ndryshimin e filmbërjes në Kosovë dhe sukseset që filmat kanë arritur në disa prej festivaleve më të njohura të botës, aktorja deklaroi: “Falënderimi më i madh për këtë sukses iu takon artistëve dhe gatishmërisë së tyre për ta dhënë maksimumin nga vetja. Ky është një fat që një popull mund ta ketë, kur njerëzit janë kaq të frymëzuar, kur përtej çdo pengese dhe vështirësie arrijnë ta mbajnë vizionin e tyre të qartë, ta tregojnë historinë e tyre në mënyrë të pastër dhe të sinqertë, si dhe arrijnë ta dërgojnë atë deri në pikën përfundimtare. Unë jam jashtëzakonisht e lumtur që ekziston kjo pjekuri artistike dhe kreative e kolegëve të mi. Por, më duhet ta them se kjo nuk do të mund të jetë e përjetshme”.
Tutje Vinca e cila është profesoreshë e Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës, tha se Kosova posedon talente të jashtëzakonshme në film, që pritet të bëjnë emër anembanë botës. Ajo thotë se është e kënaqur me nivelin, punën dhe pjekurinë e gjeneratave të reja të aktorëve në vend.