Labinot Xhoxhaj ka arritur sukses të madh të shtunën mbrëma në Gjermani, duke e fituar titullin e Evropës (EBU) në kategorinë e rëndë në boksin profesionist.
Xhoxhaj 31-vjeçar kishte pranuar përballjen me kampionin në fuqi, ukrainasin 206 centimetra të gjatë Oleksandr Zakhozhyi, në momentin e fundit, pasi Arnold Gjergjaj u desh të tërhiqej shkaku i një lëndimi.
Xhoxhaj ishte vlerësuar autsajder në këtë përballje, por ai e shtangu Zakhozhyin, duke e mposhtur me vendim unanim pas 12 raundeve.
Meçi nuk kishte nisur mirë për Xhoxhajn, që kishte rënë nokdaun në raundin e dytë. Por, ai arriti ta marrë veten dhe nisi ofensivën më pas. Në raundin e dhjetë ai e rrëzoi Zakhozhyin me një të djathtë të fuqishme. Pas 12 raundeve luftë gjyqtarët e shpallën fitues Xhoxhajn (116:110, 115:111 dhe 116:110).
Xhoxhaj është boksieri i dytë shqiptar, pas Luan Krasniqit, që fiton titullin e Evropës (EBU) në kategorinë e rëndë.
Xhoxhaj në boksin profesionist i ka 20 fitore (16 KO) e një barazim. Zakhozhyi ka pësuar humbjen e parë në karrierë pas 19 fitoreve.