Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) të mërkurën e ka pranuar përkohësisht federatën e re globale të boksit amator që njihet si “World Boxing”.
Kjo federatë u themelua më 13 prill të vitit 2023, ndërsa tashmë i ka 78 vende anëtare.
Në mesin e tyre është edhe Federata e Boksit e Kosovës. Si udhëheqëse të federatës janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Australia dhe Brazili.
Organizata e re e themeluar para dy vjetësh e ka përkrahjen e plotë të IOC-së.
IOC-ja tash e një kohë të gjatë nuk e njeh Asociacionin Ndërkombëtar të Boksit (IBA), që u themelua në vitin 1946.
Pas konfliktit të hapur, IOC-ja vendosi që t’ia tërheqë njohjen kësaj federate “për mungesë të progresit të mjaftueshëm në adresimin e shqetësimeve për qeverisje, financa dhe korrupsion”.
IBA drejtohet nga rusi Umar Kremlev, ndërsa ndikimi rus në këtë federatë është i madh.
Presidenti i IOC-së, Thomas Bach, ua ka bërë me dije federatave nacionale se duhej ta gjenin një partner “të besueshëm”, nëse dëshirojnë që sporti i boksit të përfshihet në programin e Lojërave Olimpike “Los Angeles 2028”.
IOC-ja pas pranimit të “World Boxing” ka thënë se “është demonstruar vullneti dhe përpjekja e madhe e rritjes së zbatimit dhe qeverisjes së mirë, në përputhje me standardet e duhura”.
“World Boxing” nga ana tjetër, pranimin në IOC e ka quajtur “moment historik”.
“Kjo është ditë shumë e rëndësishme që është e lidhur me sportin e boksit në Lëvizjen Olimpike”, ka thënë presidenti i "World Boxing", Boris van der Vorst.
“Ruajtja e vendit në Lojërat Olimpike është absolutisht e rëndësishme për të ardhmen e sportit tonë në çdo nivel”, ka shtuar ai.
Boksi amator ka shumë vjet që është në krizë të thellë. Ndër të tjera për shkak të këtyre përplasjeve, por edhe për faktin që rregullat nuk janë strikte si më parë, ndërsa tashmë mundësohet edhe lëvizja nga boksi profesional në boksin amator.
Në dy olimpiadat e fundit, garat e boksit, duke përfshirë ato të kualifikimeve, janë organizuar nga IOC-ja e jo nga IBA-ja.
Në të gjitha sportet e tjera, garat organizohen nga federatat ndërkombëtare të sporteve përkatëse.
Aktualisht boksi nuk është pjesë e programit olimpik, por kjo pritet të ndryshojë së shpejti.
Edhe pranimi i plotë i "World Boxing" në IOC është më shumë çështje procedurale.