Kampioni i Evropës në mundje, Cherman Valiev, dhe fituesi i medaljes së bronztë, Zelimkhan Abakarov, janë pritur me nderime në Shqipëri. Pritje në aeroportin “Nënë Tereza” në Tiranë u kanë bërë presidenti i Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli dhe presidenti i Federatës së Mundjes të Shqipërisë, Sahit Prizreni.
“Presidenti Fidel Ylli ka vlerësuar dy mundësit për arritjet e shkëlqyera në këtë evropian dhe ka përgëzuar Presidentin Prizreni, për sukseset e njëpasnjëshme nga Federata e Mundjes”, shkruan në njoftimin e KOKSH-it.
KOKSH pak orë më parë të enjten doli me reagim për skandalin gjatë dorëzimit të medaljeve në Kampionatin Evropian të zhvilluar në Bratislavë të Sllovakisë.
Presidenti i Federatës ruse të Mundjes njëherësh zëvendëspresident i Federatës Botërore të këtij sporti, Mikhail Mamiashvili, fillimisht ushtroi forcë teksa i vendos në qafë medaljen mundësit të natyralizuar Valievit dhe më pas e shtyn me duar. Dëgjohet edhe duke i thënë “tradhtar”, pasi ka zgjedhur ta përfaqësojë Shqipërinë.