Luftarake

Tyson Fury pensionohet nga boksi, sërish

Tyson Fury

Ish-kampioni botëror  në kategorinë e rëndë të boksit profesionist, Tyson Fury, ka njoftuar pensionimin nga boksi të hënën, një muaj pasi humbi rimeçin nga ukrainasi Oleksandr Usyk.

Britaniku Fury kishte përfunduar karrierën edhe disa herë në të kaluarën, së fundi në prill të vitit 2022 pas fitores ndaj Dillian Whyte. Por ylli i kategorisë së rëndë ishte kthyer në ring në dhjetorin e atij viti.

“Do ta bëj këtë të shkurtër dhe të ëmbël. Do të doja të njoftoja tërheqjen time nga boksi”, thotë Fury në një video të postuar të hënën në rrjetet sociale.

“Ishte shpërthyese. Më pëlqeu çdo minutë e kësaj dhe do ta mbylli me këtë. Dick Turpin mbante maskë. Zoti i bekoftë të gjithë, shihemi në anën tjetër”, thotë tutje Fury.

Është e paqartë pse Fury përmendi Turpinin, një grabitës të njohur të rrugëve në Angli në shekullin e 18-të dhe po ashtu hajdut kuajsh. 

Fury u pensionua edhe në vitin 2013 dhe më pas në vitin 2017, po ashtu me postime në rrjete sociale. Por ato dy pensionime, njëjtë si ai i vitit 2022, ishin jetëshkurtëra. 

Njoftimi i fundit i Furyt e befasoi promotorin e tij, Frank Warren. Warren tha për TNT Sports se askush në botën e boksit nuk duhet të ndikojë në Furyn.

“Zoti e bekoftë atë. Nëse kjo është ajo që Fury dëshiron të bëjë, atëherë këtë edhe duhet ta bëjë”, ka thënë Warren.

“Ai ka bërë shumë para. Ka pasur karrierë fantastike. Është britaniku më i mirë i kategorisë së rëndë. Ishte në disa luftëra të mahnitshme. Ai ka treguar se kush është. Ishte emocionues. E kam shijuar çdo minutë të kaluar pranë tij dhe shpresoj që të gjithë tifozët po ashtu ta kenë pëlqyer atë”.

Fury u mposht për herë të dytë nga Usyku në dhjetor, në përpjekjen e tij për të kthyer brezat e kampionit botëror të kategorisë së rëndë. 

Një luftë e shumëpritur me Anthony Joshuan është pritur të realizohet këtë vit, me dy boksierët që ishin në fazë  të vonshme të karrierës së tyre. Promotori britank, Eddie Hearn ka thënë dy ditë më parë se ka rezervuar stadiumin “Wembley” për në verë, për luftën potenciale Fury – Joshua. 

Hearn ka shprehur dyshimet e tij për pensionimin e Furyt, duke thënë se kjo është strategji e boksierit për të fituar më shumë para nga lufta me Joshuan.
“Nuk do ta akuzojë atë se kjo nuk është e vërtetë, por mendoj se bëni marrëveshje më të mirë nëse ktheheni nga pensionimi”, ka thënë Hearn. “Apo ai ndoshta vetëm nuk e ka më stomakun për këtë. U rrah dy herë dhe kjo mjafton. Dyshoj. Kush e di?”.

Fury u duk i mërzitur kur humbi me vendim unanim revanshin e 21 dhjetorit me Usykun në Arabi Saudite. Usyku kishte 179 goditje prej 423 tentimeve, ndërsa Fury kishte 144 goditje nga 509 tentime. Fury kishte pranuar se kishte bërë gabime, veçanërisht duke u hapur shumë, kur humbi luftën e parë me Usykun në Riad, në muajin maj.

36-vjeçari ka bilanc në boksin profesionist prej 34 fitore, dy humbje e një barazim. Dy humbjet i ka nga Usyku, ndërsa 24 prej fitoreve i ka me ndërprerje.

Tituj e botës për herë të parë i kishte fituar në vitin 2015, me fitore ndaj Wladimir Klitschkos. Ka mposhtur edhe Deontay Wilderin dy herë, Dillian Whyten, Derek Chisoran, Francis Ngannoun e boksierë të tjerë të njohur.  Tituj të botës në versione të ndryshme ka mbajtur për shumë vjet.

Barazimin e vetëm e ka me amerikanin Wilder, të cilin e mposhti dy herë më pas.