Angel Todorov nuk është prej trajnerëve më të mirë që ka Bullgaria. Por puna e tij po vlerësohet lart nga boksierët e Kosovës, Donat Syla, Taulant Jakupi dhe Ensar Badallaj. Tre boksierët ka disa javë që janë duke punuar me Todorovin në Prishtinë.
Angazhimi i tij u bë i mundur falë programit të Qeverisë së Kosovës, Supersportistët, që për qëllim ka ngritjen e mëtejme të sportistëve me potencialë të vendit.
KOHA këtë javë ka qëndruar në një stërvitje të boksierëve, që janë përzgjedhur nga federata si më perspektivët në vend aktualisht.
Trajneri bullgar përcillte me vëmendje lëvizjet e tre boksierëve, në sallën e boksit të improvizuar në bodrumin e Hotelit Grand në qendër të Prishtinës. Herë pas here jepte këshilla për boksierët e rinj.
Todorov nuk fliste shumë. Por Syla, Jakupi dhe Badalli kuptonin qartë instruksionet që jepte ai. Tre boksierët ushtrojnë dy herë në ditë nën urdhrat e trajnerit bullgar.
“Përgatitjet po shkojnë mirë me trajnerin Angel Todorov. Kemi pasur nevojë për stërvitje të reja. Po shkon shumë mirë gjithçka”, thotë boksieri Donat Syla.
Syla garon në kategorinë deri 92 kilogramë, ndërsa është nga Gjilani.
“Nuk jemi që një kohë të gjatë, por na ka mësuar teknikë të re, gjëra që nuk i kemi bërë këtu. Na kanë shërbyer mirë”, ka vazhduar Syla.
Suksesin më të madh deri tash në karrierë, Syla e ka arritur në vitin 2022. Ka fituar medalje të bronztë në Kampionatin Evropian për të rinj që u zhvillua në Sofje të Bullgarisë. Në vitin 2023 fitoi medalje të artë në Ballkanikun për të rinj. Falë medaljes evropiane u bë pjesë e programit shtetëror “Supersportistët”.
Donat Syla beson se me punë mund t’i sjellë Kosovës medalje nga ngjarjet e mëdha të boksit.
Shpresat për rezultat të mirë i ka për Botërorin që do të mbahet nga 4 deri më 14 shtator në Liverpool të Anglisë.
“Kemi gara të forta, kampionate të forta. Është në Helsinki një turne i fortë, ku uroj të kemi rezultate të mira dhe pastaj në shtator në Liverpool të arrijmë suksese të mëdha në Botëror”, është shprehur Syla.
Ai është i kënaqur me kushtet që u janë ofruar boksierëve të përzgjedhur.
Ndryshimet e mirëpritura
I kënaqur me punën e trajnerit bullgar është edhe Taulant Jakupi, tjetër shpresë e boksit kosovar. Jakupi është nga Gjakova.
Në fakt falë mjeteve që ofron programi “Supersportistët”, boksierët nga qendra të ndryshme janë vendosur në Prishtinë dhe punojnë me trajnerin e huaj. Sjellja e trajnerit të huaj është prej mënyrave se si zbatohet programi “Supersportistët”. Trajnerë të huaj janë angazhuar edhe në xhudo, taekwondo, shenjtari e mundje.
“Kemi parë ndryshime. Është java e dytë, nuk është kohë e gjatë, por për aq sa kemi parë, kemi vërejtur ndryshimet. Trajneri po na përgatit për të arritur rezultate në gara të ndryshme”, ka theksuar Jakupi.
Jakupi e ka nisur karrierën shtatë vjet më parë. Ka shpresë për rezultate kulmore në të ardhmen.
“Unë shpresoj shumë dhe besoj te vetja ime, shokët e mi dhe trajneri. Do ta tregojmë veten që jemi të mirë dhe pse jo të dëshmojmë se jemi të mirë për të fituar medalje në Olimpiadë”, thotë Jakupi.
Edhe ai është fitues i medaljes së bronztë evropiane për të rinj, në kategorinë deri 86 kilogramë.
Ensar Badallaj është një tjetër boksier që ka dëshmuar se ka potencial për karrierë të suksesshme në boks. Badallaj është nga Prizreni.
“Jam shumë i lumtur që jam përzgjedhur në mesin e ‘Supersportistëve’. Jam i kënaqur me trajnerin. Është shumë i mirë. Po stërvitemi dy herë në ditë. Besoj se do të ngrihem në nivel dhe të fitoj sivjet medalje”, ka thënë Badallaj.
Ai garon në kategorinë deri 60 kilogramë, ndërsa synimi më i madh mbetet medalja në Lojërat Olimpike.
“Me stërvitjet që po bëj, besoj se do të shkoj me normë në Lojërat Olimpike. Edhe nga trajneri kam marrë lëvdata. Ka besim se mund t'ia arrij qëllimit”, ka theksuar prizrenasi.
Ai ka treguar disa prej arritjeve të deritashme, ndërsa beson se mund të fitojë të tjera medalje të rëndësishme për Kosovën.
“Jam i kënaqur me zhvillimin tim. Që dhjetë vjet po stërvitem rregullisht. Në vitin 2023 isha kampion Evrope për shkollarë. Në Portugali po ashtu kam marrë medalje në kategorinë deri 60 kilogramë. Edhe në Francë kam shënuar dy fitore. Besoj se ka shkuar shumë mirë deri tash”, ka shtuar Badallaj.

Vlerësimet e trajnerit
Trajneri bullgar, Todorov, vlerëson potencialin që kanë boksierët e Kosovës.
“Puna po shkon shumë mirë. Niveli i tyre po rritet çdo ditë. Janë boksierë të zgjuar. Ata e duan boksin, duan të bëhen boksierë të mirë”, ka thënë Todorov.
Ai beson se boksierët e Kosovës mund të arrijnë rezultate të mira në Botërorin në Liverpool.
“Në këtë moment është vështirë të thuhet se cilat mund të jenë sukseset e tyre, por ndoshta pas një apo dy muajsh mund të ketë përparim edhe më të madh dhe të shpresojmë për ndonjë medalje evropiane dhe më vonë medalje botërore në Liverpool”, ka shtuar ai.
Todorov kryesisht punën si trajner e ka bërë me të rinj. Thotë se njeh mirë edhe boksierët e Kosovës. Ka tërhequr vërejtjen se duhet më shumë paraqitje në gara.
“Boksi në Kosovë është i mirë, por duhet më shumë mbështetje dhe paraqitje në gara dhe pastaj mund të ketë lëvizje më të mëdha sa i përket rezultateve”, thotë Todorov.
Kur flitet për arritjet më të mëdha që Kosova mund t’i ketë në boks, trajneri bullgar përmend Donjeta Sadikun.
“Donjeta është boksiere shumë e mirë dhe mendoj se në Los Angeles do të fitojë medalje. Kam bindjen për këtë që them. E kam parë në turneun në Bullgari dhe ajo fitoi shumë pastër”, ka thënë Todorov.
Sadiku 25-vjeçare, në fillim të muajit fitoi medalje të artë në turneun ndërkombëtar “Strangja”.
Për Donjetën viti 2022 mbetet më i suksesshmi në karrierë. Ajo fitoi medalje të bronztë evropiane e botërore.
Kosova në dy Olimpiadat e kaluara është prezantuar me Donjeta Sadikun. Në Lojërat Olimpike “Los Angeles 2028”, shpresohet se me normë do të paraqitet edhe ndonjë boksier. Ky edhe është synimi i madh i programit që mundësoi ardhjen e trajnerit bullgar.