Luftarake

Tjetër fundjavë e suksesshme e xhudos kosovare

Xhudo

Në Riga të Letonisë u mbajt Kupa Evropiane e radhës në xhudo për kadetë, përkatësisht për garuesit deri në 18 vjet. Blerina Gashi e përfaqësoi Kosovën në këtë garë. Ajo fitoi medaljen e artë në kategorinë deri 44 kilogramë.

Blerina është pjesë e klubit Trepça dhe shpresë e madhe e xhudos kosovare. Suksesi në Riga është më i madhi në karrierën e deritashme të saj.

Në luftën e parë ajo e mposhti polaken Julia Blaszczyk. Ndaj saj i realizoi dy uazari. Kjo luftë zgjati 2:14 minuta. Për 49 sekonda, Blerina e fitoi luftën e dytë, ndaj estonezes Marija Lavrinjova. Edhe ndaj saj fitoi me dy uazari, që nënkuptojnë Ippon.

Në finale xhudistja kosovare e kishte një tjetër garuese nga Polonia. E mposhti Sandra Ëalendzikun me uazari.

Polaket ishin bartësja numër një e dy, ndërsa Blerina Gashi bartësja e tretë. Lavrinjova ishte bartëse e katërt. Walendzik madje është xhudistja e tretë më e ranguar në botë te kadetet, në kategorinë deri 40 kilogramë.

Në Federatën e Xhudos së Kosovës kanë vlerësuar lart suksesin e Blerinës. Trajneri i Kosovës në xhudo, kryemjeshtri Driton Kuka ka përgëzuar Blerinën, trajnerin e saj Blenard Begu dhe kryetrajnerin e Trepçës, Remzi Begu, të cilin e ka vlerësuar ikonë të xhudos mitrovicase.

Në Kupën Evropiane në Riga të Letonisë u paraqitën 265 xhudistë nga 18 shtete të ndryshme.

Blerina tashmë pritet të ketë sfida tjera ndërkombëtare, që do t’i ndihmojnë në zhvillimin e mëtejmë.

Ndërkohë në palestrën “Karagaçi” në Pejë është mbajtur Kampionatin Ballkanik për grupmoshën U23. Morën pjesë rreth 150 xhudistë nga nëntë vende të ndryshme.

Xhudistët e Kosovës i fituan nëntë medalje dhe ishin prej më të suksesshmëve. Erza Muminoviq në kategorinë deri 52 kilogramë dhe Enise Zijade në kategorinë deri 57 kilogramë fituan medalje të arta. Medalje të argjendta fituan Sidorela Dodaj në kategorinë deri 48 kilogramë, Laurina Gashi në kategorinë deri 52 kilogramë dhe Anes Veseli në kategorinë deri 81 kilogramë. Ndërkohë Estea Arifaj në kategorinë deri 48 kilogramë, Muhamedin Veseli në kategorinë deri 66 kilogramë, Dardan Cena në kategorinë deri 73 kilogramë dhe Dëbora Gjakova në kategorinë deri 63 kilogramë fituan medalje të bronzta.

“Dy të artat në këtë Ballkanik janë vazhdimësi e sukseseve të shkëlqyeshme. Enise Zijade dhe Erza Muminoviq u shquan në mesin e shumë medalisteve të shtetit tonë. Gjenerata e shkëlqyer po vjen drejt rezultateve elitare”, ka shkruar kryemjeshtri Kuka.

Kryetari i Asociacionit Ballkanik të Xhudos, Branislav Crnogorac ka vlerësuar organizmin dhe xhudon e shfaqur në Ballkanikun U23.

“Federata e Xhudos e Kosovës ishte në nivel të detyrës dhe të gjithë kemi shijuar nivelin e jashtëzakonshëm organizativ. Si kryetar i Asociacionit Ballkanik kam pasur nderin dhe kënaqësinë që të takohem me ish-garuesin tim, Driton Kuka. Ai kohë më parë është shpallur trajneri në i mirë në botë. Si trajner i Kosovës ka tri të arta olimpike, një të argjendtë e një të bronztë. Jam krenar që në një periudhë isha trajner dhe instruktor i këtij trajneri kolos dhe njeriut me zemër të madhe”, ka shkruar Crnogorac, që është legjendë e xhudos në Bosnjë-Hercegovinë.

 Në nivelin ballkanik, xhudistët kosovarë vazhdimisht fitojnë medalje. Por ata janë të suksesshëm edhe në të gjitha garat e tjera që marrin pjesë.