Xhudistët e Kosovës kanë pasur tjetër javë të suksesshme në gara ndërkombëtare. Sarajeva ishte qendra ku u mbajt gara ndërkombëtare “European Open 2024”.
Kosova në këtë turne mori pjesë me gjashtë garues. Tre prej tyre fituan medalje, dy të argjendta e një të bronztë.
Të dielën me medalje të argjendta u stolisën Erza Muminoviq dhe Flaka Loxha.
Muminoviq garoi në kategorinë deri në 52 kilogramë, ndërsa Loxha në kategorinë deri në 57 kilogramë.
Medalje të bronztë të shtunën fitoi Dardan Cena. Cena garoi në kategorinë deri në 73 kilogramë.

Muminoviq pati dy luftëra të dielën, pasi në xhiron e parë ishte e lirë. Në gjysmëfinale fitoi ndaj serbes Sara Joçiq, kurse humbi nga rusja Karina Efimova.

Loxha i fitoi dy meçet e para, kurse u mposht në meçin final. Në çerekfinale fitoi ndaj Iana Dzhumaevas, ndërsa në gjysmëfinale e mposhti serben Kristina Nishaviq. Humbi në finale nga sllovenia Nika Tomc.
Xhudisti Dardan Cena e fitoi të bronztën të shtunën në Bosnjë-Hercegovinë.
Cena fitoi me Ippon ndaj rumunit Lucian Boris Dumitrescu në kategorinë deri 73 kilogramë në luftën për medalje të bronztë, ndërsa Muhamedin Veseli u rendit i pesti në kategorinë deri në 66 kilogramë.
Debora Gjakova të shtunën në kategorinë deri në 63 kilogramë garoi poashtu, por u ndal herët, njësoj si Anes Veseli në kategorinë deri në 81 kilogramë të dielën.
Në turneun në Sarajevë pjesëmarrës ishin plot 161 garues nga 23 shtete. Sarajeva ishte nikoqir i turneut të shtatë të xhudos në këtë vit.