Luftarake

Suksesi i madh i Orges Arifit edhe si revanshim i “vogël”

Orges Arifi

Falë Orges Arifit, Shqipëria ndanë vendin e dhjetë të vendeve më të suksesshme në Kampionatin Evropian të karatesë që të dielën përfundoi në Zarë të Kroacisë. Kosova nuk është fare në listë – nuk ka fituar asnjë medalje në ngjarjen kryesore kontinentale.

Arifi ka fituar medalje të argjendtë për Shqipërinë në kategorinë deri 60 kilogramë. Të shtunën e humbi 3:1 luftën finale nga greku Christos-Stefanos Xenos, kampion në fuqi i botës. Deri në finale kishte shënuar katër fitore, duke përfshirë një ndaj turkut Eray Shamdan, i dyti më i miri në botë.

Për karateistin prishtinas është suksesi më i madh në karrierë. Për Shqipërinë, njëri prej sukseseve më të mëdha në karate. Ndërkohë Kosova nuk ka pasur ende finalist në Evropian apo Botëror në nivelin senior. Ka disa medalje të bronzta.

Arifi fitoi të argjendtën evropiane katër vjet pasi u largua nga Kosova dhe u kthye te Shqipëria. Nga Kosova ishte larguar bashkë me disa karateistë të tjerë, duke pretenduar në përkrahje të pamjaftueshme dhe trajtim jo të duhur nga Federata e Karatesë.

“Kur na patën shtyrë të largohemi, përgjegjësit kishin thënë se nuk kemi potencial. Alvin Karaqi fitoi të artën në Lojëra Evropiane. Unë tani fitova medaljen e argjendtë në Kampionatin Evropian. Po del se potencialin e kemi pasur dhe e kemi. Tjetër që ai nga përgjegjësit në Kosovë nuk ishte vlerësuar e shfrytëzuar si duhet”, ka thënë Arifi të dielën për KOHËN.

Ai nuk ka dashur të flasë shumë për zhvillimet e së kaluarës. Por e ka përmendur faktin se potencialin e tij nuk e kishin vlerësuar sa duhet dhe se tani ka demantuar dyshuesit.

Karateja kosovare vazhdon të goditet nga zhvillimet e brendshme, përkatësisht ndarjet. Një ndarje goxha e madhe u kalua pak kohë më parë.

Rrallë interesi i garuesve është në rend të parë. Dhe kjo, ndër të tjera, kishte sjellë largimin e Arifit, Karaqit e disa karateistëve të tjerë cilësorë. Dhe tani vjen situata që karateistët nga Kosova fitojnë medalje të mëdha, por jo edhe Kosova.

“Paraqitja ishte shumë e mirë. Konkurrenca ishte shumë e fortë. Kam shpresuar në medalje të artë, por edhe e argjendta është sukses shumë i madh”, ka shtuar Arifi, që është pjesë e klubit prishtinas Ippon. Ai është edhe trajner në këtë skuadër të suksesshme.

Orges Arifi thotë se në luftën finale nuk është ndier mirë dhe nuk ka dhënë më të mirën. Dhe kështu suksesi në finale ishte i pamundur.

“Kam pasur medalje në Premier League të karatesë, që është niveli më i lartë. Por medalja në kampionat evropian ka tjetër peshë. Prandaj është suksesi më i madh në karrierën e deritashme. Kjo medalje më motivon për të punuar edhe më shumë, për të kërkuar suksese të tjera kulmore. Me medalje thuajse jam i kualifikuar për Botërorin e vitit të ardhshëm. Dhe në atë ngjarje e kam synimin e ardhshëm. Pra, synoj medaljen botërore”, ka shtuar Arifi.

Ai thekson se në shumë raste i ka munguar edhe fati për të fituar medalje në Evropian. Tregon që në katër luftërat e fundit ka bilanc pozitiv me garuesin turk, dhe kjo e trimëron Arifin për të kërkuar suksese të reja.

Arifi nga Zara kthehet si nënkampion evropian dhe me përkushtimin për suksese të tjera kulmore në sportin e karatesë.