Luftarake

Shumë të panjohura për Joshuan pas humbjes së rëndë nga Dubois

Anthony Joshua

Karriera e Anthony Joshuas nuk është shkatërruar nga humbja shkatërruese, me nokaut, të cilën e pësoi nga Daniel Dubois të shtunën mbrëma në “Wembley”. Joshua e sfidoi titullin e botës në versionin IBF, kategoria e rëndë, por u rrah keq nga Dubois.

Dështimi i fundit i Joshuas gjithsesi sjell pyetje nëse ylli i boksit profesionist do të përballet në të ardhmen me ish-kampionin e kategorisë së rëndë, Tyson Fury.

Dubois, po ashtu, është nga Britania e Madhe. Ai tani ka bilanc prej 22 fitoresh e dy humbje. 21 prej fitoreve i ka me ndërprerje. 27-vjeçari mbajti titullin në versionin IBF, i cili iu dha pasi prej tij hoqi dorë Oleksandr Usyk. Në fakt, më 1 qershor Dubois fitoi titullin e përkohshëm të botës në IBF, me fitoren ndaj kroatit Filip Hrgoviq. Ndërkohë iu dha titulli i rregullt të cilin e mbrojti ndaj Joshuas me fitoren me nokaut në raundin e pestë.

Joshua u rrëzua fillimisht në raundin e parë e më pas edhe në raundin e tretë, të katërt dhe përfundimisht në raundin e pestë. Skenat e rënda ku Joshua mbetej i shtrirë, si dhe pas numërimit pas goditjeve të Dubois, kanë bërë që shumë të pyesin nëse Joshua është për këtë nivel.

Humbja e katërt në karrierën profesioniste, madje një dërrmuese, mund të jetë fundi i karrierës për disa boksierë. Por jo për Joshuan, i cili është boksieri i dytë më i paguar në botë. Ai përfiton 83 milionë dollarë në vit.

Për sa kohë që 34-vjeçari Joshua dëshiron të luftojë, ofertat e majme nuk do t’i mungojnë. Këtë nuk e ndryshon as meçi i së shtunës, në të cilin Joshua u rrah keq para 96 mijë shikuesve në “Wembley” dhe para miliona teleshikuesve nëpër botë.

Joshua i ka 28 fitore në boksin profesionist, prej tyre 25 me ndërprerje. Ai e dëshiron revanshin, por Dubois mund të zgjedhë të përballet me fituesin e duelit mes Furyt dhe Oleksandr Usykut. Ky meç është më 21 dhjetor dhe më pas Dubois mund të kërkojë të unifikojë titujt e botës në kategorinë e rëndë të boksit profesionist.

Joshua tani duhet të presë rezultatin e meçit të 21 dhjetorit dhe të kuptojë nëse fituesi i asaj lufte shumëmilionëshe në Arabinë Saudite do të pranojë të përballet me Dubois. Nëse Fury shënon fitore, atëherë ka gjasa që vitin e ardhshëm të aranzhohet një meç i tij me Joshuan. Por edhe nëse Fury mposhtet nga Usyku, dueli Joshua – Fury mund të realizohet vitin tjetër.

Fury – Joshua është përballja kryesore në kategorinë e rëndë, sa iu takon parave të fituara dhe interesit të publikut. Do të ishte lufta më e madhe që do të organizohej në territorin britanik dhe më e madhja për shumë vjet në përgjithësi në boks.

Lufta ishte vlerësuar 200 milionë dollarë në vitin 2020, ndërsa promotorët kanë dështuar ta aranzhojnë atë ndonëse përpjekjet ishin të vazhdueshme.

Promotori Eddie Hearn, që punon me Joshuan, ka thënë së fundmi që shpreson që Fury e Joshua të kenë dy meçe. Njëri prej meçeve do të mbahej në Riad të Arabisë Saudite e tjetri në Londër, në “Wembley” apo në stadiumin e Tottenhamit.

Por koha po kalon si për Joshuan ashtu edhe për Furyn, 36-vjeçar. Prandaj Hearn insiston që lufta të zhvillohet vitin e ardhshëm. Megjithatë, për promotorin Hearn revanshi me Duboisin është prioritet tani.

“Jam i sigurt se Joshua do ta shfrytëzojë klauzolën e revanshit”, tha Hearn. “Atij i duhet pushim dhe është një luftë e rrezikshme. Dubois ka fituar në vetëbesim, por Joshua duhet të besojë se mund ta lëndojë atë, se mund ta mposhtë atë”, ka shtuar Eddie Hearn.

Me fitoren e së shtunës, Dubois ka vënë veten në garë për luftë tjetër të madhe në vitin 2025. Fituesi i luftës mes Usykut dhe Furyt do ta ketë përparësinë e një përballjeje me Duboisin për unifikim të titujve.

Dubois, po ashtu, mund të ketë rastin për barazim me Usykun, nga i cili pësoi me ndërprerje vitin e kaluar. Dubois dhe Fury menaxhohen nga Frank Warren dhe një përballje mes tyre mund të realizohet lehtë në muajt e parë të vitit të kaluar. Por shumë varet nga ajo se kush e fiton luftën Fury – Usyk.

Sa i takon Joshuas, kjo me shumë mundësi nuk ishte lufta e tij e fundit e madhe. Por tani ka më shumë pyetje nëse ai është në gjendje të fitojë titull të madh. Nëse është mposhtur bindshëm nga Dubois, ka shumë njerëz që pyesin nëse Joshua është në gjendje të përballojë Furyn e Usykun.

“Sigurisht që dua të vazhdoj të luftoj”, ka thënë Joshua në konferencë për shtyp pas meçit.

Që kur nisi partneritetin me trajnerin Ben Davison në dhjetorin e kaluar, Joshua është dukur i sigurt dhe taktikisht i mprehtë, në fitoret ndaj Otto Wallinit dhe Francis Ngannout.

Joshua tani shpreson se humbja ndodhi për shkak të gabimeve taktike dhe se me disa ndryshime ai mund të revanoshohet shpejt. Pyetjet për rezistencën e Joshuas ndaj goditjeve të forta natyrisht që janë sërish aktuale. Dhe papritur rruga për titullin e tretë të botës i është ndërlikuar shumë.