Në tri prej gjashtë kategorive në stil të lirë të mundjes, Shqipëria do të prezantohet në Lojërat Olimpike “Parisi 2024”. Si asnjëherë më parë, Shqipëria i ka plot tri norma olimpike në sportin e mundjes. Dy norma i siguroi në fundjavë në Turneun Kualifikues Botëror të mbajtur në Stamboll.
Zelimkhan Abakarov do të garojë në kategorinë deri 57 kilogramë në Paris, ndërsa normën e siguroi në Botërorin e vitit të kaluar. Islam Dudaev do të garojë në kategorinë deri 65 kilogramë, ndërsa normën e fitoi në Turneun Kualifikues Botëror në Stamboll. Chermen Valiev do të garojë në kategorinë deri 74 kilogramë, falë normës së fituar të dielën në Turneun Kualifikues Botëror.

Pra bëhet fjalë për tre garues të natyralizuar që mundjen e kanë mësuar në republikat e Rusisë. Rusia përkatësisht republikat e saj kanë mundës të shumtë. Jo të gjithë arrijnë nivelin reprezentues dhe kështu vendosin për vende të tjera. Kalimi nga një vend në tjetrin në mundje është shumë i përhapur. Dhe Shqipëria po përfiton shumë nga ky proces.
Abakarov prej vitit 2022 garon për Shqipërinë. 30-vjeçari është nga Dagestani dhe më herët ka prezantuar Rusinë. Për Shqipërinë ka medalje të artë e të bronztë të botës, dy medalje të argjendta evropiane, të artë mesdhetare dhe suksese të tjera. Është prej mundësve më të mirë në botë. Madje titullin e botës e siguroi në Beograd dhe ngriti lart flamurin kuqezi.
Islam Dudaev, 29-vjeçar, është çeçen i lindur po ashtu në Dagestan. Edhe ai garon për Shqipërinë prej vitit 2022, pasi më herët prezantoi Rusinë. Për Shqipërinë ka fituar medalje të artë e të bronztë evropiane, medalje të bronztë mesdhetare e disa medalje të tjera.
Në shkurt të këtij viti pjesë e ekipit të Shqipërisë u bë edhe Chermen Valiev, që është nga Osetia e Veriut, republikë tjetër e Rusisë. Valiev siguroi normën olimpike në mënyrë shumë dramatike, të dielën. Ai kishte suksese kulmore në grupmoshën U23, duke përfaqësuar Rusinë. Tani kërkon medaljen olimpike për Shqipërinë.
“I siguruam edhe dy norma. I kemi tri norma gjithsej. Është fantastike. Tani vetëm presim Olimpiadën e Parisit”, ka thënë për KOHËN kryetari i Federatës Shqiptare të Mundjes, Sahit Prizreni.
Ai solli tre top-mundësit te Shqipëria.
“Patjetër që tani synimi është medalja e parë olimpike për Shqipërinë”, ka shtuar Prizreni.
Shqipëria ende nuk ka të fituar medalje olimpike. Dhe gjasat janë të mëdha që e para të fitohet nga një mundës i natyralizuar.
Në turneun kualifikues në Stamboll, Shqipëria u prezantua me shtatë mundës. Pesë prej tyre ishin shqiptarë. Por asnjëri nuk iu afrua normës.
Ndërkohë Kosova nuk ka fituar normë në mundje. Madje as që i është afruar asaj.
Në turneun në Stamboll garoi Egzon Xhoni, që humbi luftën e parë në kategorinë deri 74 kilogramë.
Shqipëria i ka katër sportistë të kualifikuar për “Parisi 2024”. Pos tre mundësve normë ka siguruar edhe atletja Luiza Gega, në vrapimin 3000 metra me pengesa.
Kosova aktualisht i ka pesë xhudistë brenda zonës që siguron normë olimpike dhe kaq norma pritet të ketë. Normën e ka siguruar edhe boksierja Donjeta Sadiku.
Edhe Kosova ka natyralizuar sportistë. Por asnjëri prej tyre nuk i është afruar suksesit që e kanë tre mundësit e Shqipërisë.