Luftarake

Rusi që ofendoi Shqipërinë, shumë i afërt me presidentin serb të UWW-së

uww

Personalitetet që ndajnë medaljet në ngjarje të rëndësishme sportive, zgjidhen me shumë kujdes. Zgjidhen personalitete të rëndësishme, kryesisht nga bota e sportit, dhe që nuk kanë konflikt e inate me fituesit e medaljeve.

Nuk ndodhi kështu të mërkurën mbrëma në Kampionatin Evropian të Mundjes në Bratislavë të Sllovakisë. 

Medaljet për më të mirët e kategorisë deri 74 kilogramë në stil të lirë i ndau Mikhail Mamiashvili, president i Federatës së Mundjes së Rusisë dhe njëri prej nënpresidentëve të Federatës Botërore të Mundjes (UWW). Të artën evropiane në këtë kategori e fitoi Chermen Valiev, që e përfaqëson Shqipërinë.

Valievi është nga Rusia, përkatësisht nga Osetia e Veriut. Ka garuar për Rusinë shumë vjet, por prej vitit të kaluar e përfaqëson Shqipërinë. Në finalen dramatike, Valievi e mposhti mundësin nga Rusia, Zaurbek Sidakov, që është kampion olimpik, kampion i trefishtë i botës dhe fitues i shumë medaljeve të tjera. Edhe Sidakov është nga Osetia Veriore, ndërsa mundësit rusë në Evropian garuan me flamur të UWW-së. 

Presidenti i federatës ruse bëri skandal që nuk është parë ndonjëherë në ngjarjet e rëndësishme sportive, gjatë ndarjes së medaljeve.

VIDEO:

Kur Valievi u përkul që Mamiashvili t’ia vendoste medaljen e artë në gjoks, drejtuesi i federatës ruse iu drejtua me disa fjalë. I ka thënë tradhtar. Më pas me forcë ia vendosi medaljen, ndërsa po me forcë ia kapi edhe dy duart. Qeshi me cinizëm derisa po ia dorëzonte lulet, ndërsa Valievi mbeti plotësisht i befasuar nga ajo që i ndodhi.

Ka pasur reagime të shumta për atë veprim fyes ndaj garuesit të Shqipërisë, por edhe vetë Shqipërisë. Ka reaguar Komiteti Olimpik i Shqipërisë, por jo edhe Federata Shqiptare e Mundjes. Në Rusi reagimet ishin të shumta, kryesisht në përkrahje të mundësit që tani garon për Shqipërinë. 

Nuk ka ende ndonjë reagim nga Federata Botërore e Mundjes. 

Mamiashvili ka prejardhje gjeorgjiane, ndërsa është prej figurave më me ndikim në UWW. Vlerësohet shumë i afërt me presidentin e federatës botërore, serbin Nenad Laloviq.

“Është shumë e vështirë që UWW të merret me këtë çështje pasi Mamiashvili është nënpresident i UWW-së. Ai është njeri i besuar i presidentit Nenad Laloviq dhe figurë e fuqishme në UWW”, ka thënë një zyrtar i UWW-së për KOHËN, në kushte anonimiteti.

KOHA ka kërkuar qëndrim nga Federata Botërore e Mundjes e po ashtu nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar. Është në pritje të përgjigjeve. I ka shkruar edhe anëtarëve të komisionit të mediave në UWW. Është përgjigjur vetëm Ikuo Higuchi nga Japonia, anëtar i komisionit për media në UWW. 

“Mundja nuk duhet të jetë sport që lejon tiraninë e disa njerëzve të fuqishëm. Mënyra më efektive për ta zgjidhur këtë problem është t’i drejtohemi mediave të fuqishme botërore”, ka thënë Higuchi, që është gazetar që shkruan për mundjen.

Ai ka theksuar se veprimet duhet të bëhen nga Federata Shqiptare e Mundjes. Por kryetari i kësaj federate, Sahit Prizreni, ka lënë të kuptohet se nuk do të ketë ndonjë reagim. Prizreni ka thënë se Mamiashvili është mik i tij dhe i Federatës Shqiptare të Mundjes.

Mamiashvili ka folur për mediat ruse për incidentin. Ka mohuar t’i ketë thënë tradhtar garuesit të Shqipërisë, por ka vazhduar me fyerje ndaj tij.

“E kam uruar për fitoren, i kam dëshiruar sukses. Ndoshta ai ishte i befasuar që unë po ia ndaja medaljen. Vetëm një vit më parë, saktësisht katër muaj para Lojërave Olimpike, ai ishte në ekipin tonë përfaqësues. Ekipi nacional e përgatiti, por ai tashmë është nën flamurin e Shqipërisë me lot në sy.

Ndoshta kjo e ka turpëruar”, ka thënë Mamiashvili.

Ai e ka kritikuar mundësin që ka ndryshuar vendin që e përfaqëson.

“Çfarë ndryshimi paraqet se për cilin flamur paraqiten, për njerëzit si Chermen? Sot është i Shqipërisë, nesër i Bullgarisë. Janë djem të ri që për fat të keq nuk e dinë vlerën e flamurit që prezantojnë. Nuk e kuptojnë përgjegjësinë ndaj vendit që i bëri ata dhe ua dha mundësinë. Po, ndonjëherë në kushte të vështira, por Rusia e madhe i bëri ata sportistë. Dhe përnjëherë është një flamur shqiptar për ta”, ka shtuar Mamiashvili.

Trajneri i Valievit, Kahaber Dzukayev e ka kritikuar presidentin e federatës ruse. Dzambolat Tedeev,  ish-selektor i Rusisë ka thënë se veprimi i Mamiashvilit e ka turpëruar Rusinë. Ai ka thënë se

Mamiashvili ka shitur mundës në vende të tjera për të përfituar financiarisht.

Mundësit nga Rusia i kanë fituar tetë medalje të arta, tri të argjendta e gjashtë të bronzta deri më tani në Evropian. Edhe shumë mundës të cilët kanë fituar medalje për vende të tjera janë me prejardhje nga Rusia. Ka mundës nga Rusia që garojnë për Francën, Serbinë, Sllovakinë, Bullgarinë, Greqinë. Dhe Mamiashvili vendosi ta ofendojë pikërisht garuesin e Shqipërisë.

Shqipëria ka natyralizuar tre mundës nga Rusia. Dhe të tre po shkruajnë histori. Valievi e ka fituar medaljen e parë olimpike për Shqipërinë. Në “Parisi 2024” fitoi medaljen e bronztë. Medalje bronzi në Paris një ditë më pas për Shqipërinë fitoi edhe Islam Dudaev. 

Zelimkhan Abakarov ka fituar medalje të artë botërore, madje midis Beogradi. Ka fituar edhe medalje të bronztë botërore dhe tri medalje evropiane, duke përfshirë një të bronztë në Evropianin që ende po mbahet në Bratislavë. 

Në mundje ndryshimi i shtetit që përfaqësohet është bërë plotësisht i zakonshëm. Kryesisht Rusia furnizon plot vende të tjera, që ndryshojnë përfaqësuese për shkak të të hyrave më të mëdha dhe mundësive më të shumta. Jo të gjithë ia dalin ta prezantojnë Rusinë. Dhe për herë të parë, në llogari të Shqipërisë, një mundës u fye kaq rëndë gjatë pranimit të medaljes.