Luftarake

Presidenti i Federatës së Mundjes të Shqipërisë: Ishte një lloj xhelozie

Fidel Ylli

Presidenti i KOKSH-it, Fidel Ylli, e ka cilësuar skandal veprimin e presidentit të Federatës ruse të Mundjes, Mikhail Mamiashvili, ndërsa ka paralajmëruar edhe ankesë.

Mamiashvili, fillimisht ushtroi forcë teksa i vendos në qafë medaljen mundësit të natyralizuar Valievit dhe më pas e shtyu me duar. Dëgjohet edhe duke i thënë “tradhtar”, pasi ka zgjedhur ta përfaqësojë Shqipërinë.

“Do t’i nisim letër IOC-së, EOC-së, gjithë trupit diplomatik, ministrisë së punëve të jashtme, qeverisë dhe ministrisë së sporteve. Është gjest i turpshëm”, ka thënë Ylli për KOHËN të enjten.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes, Sahit Prizreni, ka thënë se Mamiashvili i ka kërkuar falje për veprimin. Prizreni thotë se veprimi është bërë në shenjë xhelozie.

“Është një pamje që nuk duket e mirë. Por menjëherë pas ceremonisë pata takim me presidentin. Ai është mik i imi dhe Federatës. Mendoj se ishte një moment emocional. Nuk do të dëshironte edhe ai të ndodhte, por Valiev mposhti një nga mundësit më të Rusisë në dekadën e fundit dhe veprimi i tij ishte një lloj xhelozie.

Megjithatë, mendoj se nuk duhet të mbesin në hije medaljet e fituara. Janë arritje të jashtëzakonshme për mundjen dhe sportin shqiptar. Një kampion të Evropës dhe një fitues të medaljes së bronztë, që për mua do të ishte medalje ari. Por ne jemi krenar që kemi garues që Shqipërisë i kanë siguruar për herë të parë medalje olimpike”, ka thënë Prizreni për KOHËN të enjten.

Për incidentin në Bratislavë reagoi edhe kryemjeshtri, Driton Kuka. Kuka e ka cilësuar si “sjellje prej rrugaçi” veprimin e presidentit të Federatës ruse të Mundjes, Mikhail Mamiashvili.

“Diçka e paparë në ngjarje sportive! Sportisti ka zgjedhë Shqipërinë ta prezantoj, kjo sjellje s’duhet mbetur pa reagim!”, ka shkruar Kuka në facebook.

Valiev e fitoi të artën në kategorinë deri 74 kilogramë në stil të lirë. Në finale fitoi 4:2 ndaj Zaurbek Sidakov, që prezanton federatën botërore ndërsa është nga Rusia.

“Ishte një finale shumë e mirë me mundës shumë të fortë sidomos ato nga Rusia. Jam shumë i lumtur dhe faleminderit për mikpritjen”, u shpreh Chermen Valiev, mundës i Shqipërisë pas mbërritjes në Shqipëri.

Ndërkohë Zelimkhan Abakarov fitoi medalje të bronztë për Shqipërinë në Evropianin në Bratislavë në kategorinë deri 61 kilogramë.